Presidenti Begaj viziton Delvinen
Delvina, përmes historisë së saj të vjetër dhe krenare dhe harmonisë kulturore, është një qytet që përcjell më së miri traditën shqiptare të mikpritjes! Këtë e vërtetova edhe sot, në pikënisjen e një turi vizitash dy ditor në jug të vendit, që nisi pikërisht me Delvinën.
Gjatë takimit me Kryetaren e Bashkisë, Majlinda Qilimi, i shpreha asaj rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm mes pushtetit qendror dhe atij lokal për zhvillimin e zonës. Është e domosdoshme që banorët e qytetit, në veçanti të rinjtë, të kenë të gjithë mbështetjen e nevojshme, për të patur mundësinë të krijojnë një të ardhme këtu.
Turizmi në Delvinë, veçanërisht ai i qëndrueshëm, është një potencial real për zhvillimin e mëtejshëm të zonës, ndaj duhet të shihet me prioritet jo vetëm nga pushtetet, por edhe nga vetë qytetarët.
Falënderoj gjithashtu dhe Muzeun e Historisë dhe Etnografisë të Delvinës, që përçonte më së miri rëndësinë e këtij qyteti për historinë dhe kulturën e Shqipërisë. Gjej rastin të përgëzoj dhe qytetarët e Delvinës për kontributin e tyre në krijimin e këtij muzeu.