Ditari i Mësuesit -Opinion nga Mr.Florent Selca

DITARI I MËSUESIT

Ashtu siç zgjerohet rrethi i diturisë sonë, njashtu edhe perimetri i errësirës që rrethon atë, thoshte Ajnshtajni dikur.

E marr ditarin në dorë dhe nisem ngadalë për tek klasa ku më presin nxënësit e mi. Nuk kam shumë metra nga salla e arsimtarëve deri tek klasa, por seç ndjej një përgjegjësi të madhe. E di se duhet t’i motivoj ata që edhe pse fëmijë, po depërtojnë përmes një energjie aspak pozitive. Duhet të kesh kurajo dhe energji t’a motivosh gjeneratën e re.

I afrohem klasës dhe ngadalë hy brenda. Ndjehem krenar që i kam motivuar të më dëgjojnë me kurreshtje. Pasi plotësoj regjistrin, iu drejtohem nxënësve: “Do flasim për ekonominë sot”.
Më pas fillojmë diskutimin dhe analizën. Shumë nga nxënësit më rrefejnë se prindërit i kanë pa punë ose me punë që paguhen shumë pak. Disa tregojnë për indiferencën që tregojnë ata karshi shkollimit dhe edukimit. Çfarë të bëj? Ku ta gjej motivin për t’i motivuar ata? Nganjëherë e motivojmë njëri-tjetrin, por kësaj radhe ngecëm të dy palët njësoj.
” Çdo gjë do rregullohet, drejtësia vonon por nuk harron “- iu drejtova atyre. Mu duk vetja sikur Maratonomaku i kohërave moderne. Vëreja një zhgënjim në fytyrat e tyre, por prap ata sy shëndrisnin sikur donin të thonin, “ne do ia dalim arsimtar”.
Nxënës e kemi Kosovën me plot pasuri. Kemi miniera, ujëra minerale dhe termale, kemi bjeshkë me ujë të kulluar që se ka kush, mbi të gjitha ju kemi ju, që do jeni e ardhmja e sigurt e këtij vendi. Këtu duhet t’i shikoni ëndrrat, këtu duhet të planifikoni të ardhmen tuaj. Ishin këto fjalë shpirti që më dilnin nga loçka e zemrës.

Mundoheni t’a pasuroni trurin tuaj me dituri, sepse vetëm mësimin nuk mund t’a vjedhi askush.

Ngadalë i erdhi fundi një ore mësimore me plot sfida që më bënë të djerësitesha disa herë.
Kisha guximin dhe kurajon t’i motivoja ata fëmijë, që ndoshta i bëra të besonin në ëndrrat e tyre fëmijërore.
Iu ktheva vetes. Ku t’a gjejë motivin për të qenë gjatë i kurajuar për punë. Në mendje më vërdallosen opinionet dashakeqëse që po na linçojnë punën tonë. Me fytin e tharë nga fjalët e shumta në bashkëbisedimin me nxënësit tanë, pështyma m’i zë grykët dhe më një koll të thatë arrita t’a liroja frymëmarrjen. Mendoj me vete, jemi një kategori që ndoshta edhe meritojmë kritika, sepse në mesin tonë kemi edhe shumë “analfabet” që na i servoi dhe imponoi koha dhe politika, por prapë se prapë kemi një bërthamë të shëndoshë që mund t’i eliminoi parazitët që po mundohen t’a grryejnë strukturën tonë.

Ka ardhë koha t’i thërrasim ndërgjegjes sonë individuale dhe kolektive.
Vendosa t’i drejtohem prindërve dhe mbarë shoqërisë.

Por, unë nuk ia dal dot i vetëm…

Unë nuk jam prind. Unë nuk mund të garantoj që fëmija do të vijë në kohë në klasë. Nuk garantoj dot pjesëmarrjen e tij, nuk justifikoj dot mungesat e tij. Nuk mund të vij dhe të “imponoj” edukimin në shtëpinë tuaj. Unë nuk i fal dot atij një shtëpi të mbushur me libra. Unë nuk e pakësoj dot sasinë e kohës që ai kalon në telefon apo në rrjete sociale. Unë nuk ia tipos dot në kokë rëndësinë që kanë vlerat nëse ju nuk e bëni. Unë nuk ju detyroj dot ju të vini në takimet me prindër. Nuk ju detyroj dot të bashkëpunoni me mua, në mënyrë që të zhvillojmë së bashku potencialet e fëmijës suaj. Unë nuk e bind dot fëmijën se ti dhe unë jemi një skuadër që punon vetëm në të mirë të interesave të tij.
Prind i dashur, puna ime do të ishte Sizifjane pa bashkëpunimin tënd, sepse vetëm së bashku mund t’a bëjmë një skuadër që na sjellë sukses.

Shoqëri e dashur, mos më gjyko.
Mos harroni se në varrimin e kolegut tim u shfaq për herë të parë publikisht UÇK-ja. Mos harro se edhe Hamëz Jashari ishte një mësues. Mos harroni se dhjetë vite i rezistuam presionit dhe e mposhtëm frikën për t’ju edukuar ju, qe besa kur erdhi koha i lamë anash librat dhe lapsat dhe morëm armët për liri.
Mos na urreni se nuk e meritojmë përbuzjen tuaj.

F. Selca

Leave a Reply