Fjalimi i Pandeli Majkos në Kuvend sot

SOT, FJALA NE KUVEND PER TE DREJTEN E VOTES TE SHTETASVE ME BANIM JASHTE VENDIT

I nderuar kryetari i seancës
Të nderuar deputetë

Sot, paraqitem me kërkesë të një grupi deputetësh të opozitës për një interpelancë, citoj “…Për problematika të emigracionit dhe diasporës sidomos për problemin e votimit të emigrantëve”

Në respekt të kërkesës, kam patur vështirësi për të kuptuar kërkesën e interpelancës. “Problemet” e përmendura në kërkesën për interpelancë duhet të ishin të adresuara me qëllim që shpejgimet të ishin të qarta.

Në cështjen e kërkesës për “problemin e votimit të emigrantëve” duhet shmangur përdorimi i fjalës “emigrantë”. Në këtë rast, bëhet fjalë për votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit.

Ky është formulimi juridik i parashikuar edhe në ndryshimet e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë apo ndryshe Ligji Nr. 101/2020. Në këtë ligj për cështjen e votimit të votuesve jashtë vendit janë miratuar dy nene të cilët përfshijnë vlerësimin dhe procedurën e votimit jashtë vendit.

Neni 24
Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit

1.KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.
2.Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij ligji.

  1. KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.
  2. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ- së.

Neni 25
Procedura e votimit nga jashtë vendit

  1. Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.
    2.Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.
  2. Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ-ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje. Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materialit zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulëta sesa ato për votimin brenda vendit.

Këto dy nene të Kodit Zgjedhor, kanë ndryshuar në themel raportin e sistemit elektoral të Republikës së Shqipërisë me qytetarët e vet brenda dhe jashtë vendit.

Si Ministër i Shtetit për Diasporën kam raportuar në Kuvendin e Shqipërisë. Raportimet kanë qenë të rregullta. Ato kanë qenë vjetore me paraqitje në Nënkomisionin për Diasporën dhe Migracionin, dhe me shkrim cdo tre muaj për Komisionin e Politikës së Jashtme me një buletin të posacëm.

Kuvendi i Shqipërisë në datën 23 Korrik 2018 ka miratuar Rezoluten “Për Reformen e Politikës Shtettërore për Diasporën”. Për zbatimin e kësaj rezolute kam raportuar me shkrim, pranë kryetari të Kuvendit, me shkresën e datës 29 shtator 2020, me lëndë: Informim për përmbylljen e reformës shtetërore për marrëdhëniet me Diasporën Shqiptare në zbatim të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për Reformën e Politikës Shtetërore për Diasporën” e miratuar në datën 23.07.2018.

Për interesimin e grupit të deputetëve për procesin e votimit të shtetasve jashtë vendit në zbatim të Kodit Zgjedhor, ju informoj se kam qenë dhe jam në komunikim te rregullt me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe strukturat përgjegjëse të ekzekutivit.

Kjo ka ndodhur edhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mëparshëm të cilët gjej rastin ti falenderoj për bashkëpunimin për të drejtën e votës jashtë vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktual, po paguan cmimin e sorrollatjeve të politikës në realizimin e reformës zgjedhore. Megjithëse për realizimin e saj, Komisioni i Reformës Zgjedhore u krijua në mënyrë të paprecedentë që në hapjan e të mandatit të këtij kuvendi, në të diskutimet serioze kanë qenë të zgjatura dhe pa vendimarrje.

Kriza politike që u krijua me largimin e partive opozitare nga kuvendi, e ktheu vonesën e diskutimit për reformën zgjedhore në fakt. Reforma zgjedhore u realizua vetëm falë konsesusit në momentin e fundit dhe presionit të Perëndimit në qershorin e vitit të kaluar.

Votimi i shtetasve jashtë vendit nuk ka asnjë problem ligjor për tu zhvilluar në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti. Nga strukturat përgjegjëse të ekzekutivit është plotësuar cdo angazhim ligjor.

Arsyetimi i fundit që vjen nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve se për të realizuar të drejtën e votës jashtë të shtetasve jashtë vendit duhet të pritet “konsesusi” i partive politike është antiligjor.

Cfarë do të thotë që për të zbatuar ligjin duhet të kemi “konsesus” politik që ta zbatojmë atë?!

Imagjinoni që ky standart të përdorej për ligjet që miratohen në Kuvendin e Shqipërisë pa “konsesusin” e opozitës. (!)

Me këtë logjikë, duke qenë se partitë opozitare jashtë Kuvendit janë shprehur kundër sistemit të ndryshuar zgjedhor i bie që zgjedhjet të mos realizohen (!)

Nga përfaqësues të Partisë Demokratike ka pasur komente se për realizimin e votimit jashtë vendit, një pengesë është edhe cështja e rregjistrimit të shtetasve jashtë vendit.
Informoj se kjo cështje ka qenë shqetësim në strukturat administrative në ministrinë përgjegjëse të brendëshme dhe atë për politikën e jashtme.

Kujtoj, se në miratimin e legjislacionit për strukturat shtetërore të diasporës, në diskutimin e tyre në Komisionin e Politikës të Jashtme, nga përfaqësuesit e opozitës është kundërshtuar prerazi që këto struktura të merreshin qoftë edhe me kordinimin e rregjistrimit të shtetasve jashtë vendit në funksion të procesit zgjedhor.

Procesi i rregjistrimit të adresave jashtë vendit apo rinovimit të kartave të identitetit dhe pasaportave është shqetësues. Ai në asnjë rast nuk mund të jetë justifikim për moszbatimin e ligjit për votimin jashtë vendit. Edhe për këtë arsye, ministria e brendshme e ka shtyrë afatin e përdorimit të dokumentave që duhen rinovuar deri në fund të prillit 2021.

Emrgjenca virusale dhe ndalimet e saj në vendet ku jetojnë komunitetet shqiptare padyshim që ka krijuar efektet dhe vështirësi të natyrshme.

Mohimi i të drejtës së votës së shtetasve jashtë vendit, për arsye “rregjistrimi” është justifikim. Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të funksionojë sistemi i aplikimit për të votuar. Aty mund të aplikohet si me pasaportën e vjetër ashtu edhe me kërkesën për qartësimin e adresave të fundit të shtetasve me banim jashtë vendit.

Të nderuar deputetë

Realizimi i të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit është detyrim kushtetues dhe ligjor. Mazhoranca e ka vullnetin e plotë për këtë.

Kush pret konsesus nga ata që nuk pranuan të mbajnë asnjë përgjegjësi shtetërore në opozitë do të dëmtojë kredibilitetin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Shpresoj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos kërkojë konsesus për zbatimin e ligjit për të drejtën e votës! Ai është detyrim dhe jo cështje për diskutim.

Ju faleminderit

Leave a Reply