Këngëtari i madh Skender Hasi me një dedikim emocional për vajzen Kosovaren
E dashur bija ime, Kosovare!
Dita e sotme më kujton ardhjen tënde në jetë dhe gëzimin tim e të nënës tënde! Ti erdhe në kohën kur zemrat tona, mendjet tona dhe këngët tona kishin kryefjalë emrin Kosovë. Prandaj të pagëzova Kosovare sepse doja që t’i ngjash me gjithçka atdheut tonë të dashur. Doja që të rritesh me aromen e luleve tona, me nektarin e bjeshkëve tona, me flladin e krojeve tona dhe të bëhesh vetvetja, zonjë në truallin tënd!
Ti sot po bëhesh nuse, ndërsa unë të kujtoj si foshnje në prehrin tim, kur përpiqesha që këngët e mia t’i ktheja në ninulla për ty. Por, ti shpejt më fluturove nga prehri dhe kënga të mori në krahë dallëndysheje, ashtu siç mua dikur! Fluturuam bashkë në krahët e këngës shqipe dhe sa herë të kisha pranë ndihesha më i fortë.
Sot ëshë dita e nuserisë tënde, dita e lumturisë dhe ardhmerisë tënde dhe unë të uroj nga thellësia e zemrës!
Ta dua fluturimin bija ime, atë që e mësove nga prindërit e tu, atë që e përshkove me vëllezërit e tu e motrën tënde të fisme! Ky fluturim duhet t’i ngjajë gjithmonë një zogu të lirë ashtu siç atdheu ynë ëshë dhe do të jetë përjetësisht i lirë dhe ne t’i shërbejmë me vepra të mira!
Për mua dhe nënën tënde do të jeshë gjithmonë ajo sorkadhja e bukur, tepër e dashur dhe e mirësjellshme për të gjithë familjen Hasi.
U trashëgofsh bija ime, paç bekimin tim përherë!