Z.Gazmend Syla kujton dëshmoret e atdheut
Familja jonë e mban këtë mbiemër prej të parit tonë, Sylejmanit.
Sylejmani e kishte vetëm një djalë: Bajrushin. Përpos që ishte i verbuar në pleqëri, djalin e vetëm, ia marrin xhandarmaria e Serbisë së Parë dhe e pushkatojnë në Pejë.
Familja nuk u shua. Nga martesa e Bajrushit me Ajnën lindën 3 fëmijë: Lami, Zeka dhe Raza.
Lami ishte “këshill katundi” burrë i urtë e i dijshëm.
Zeka ishte më i egër, por punëtor i madh. Nuk ka pritu edhe me “shkep dajak”. Tregojnë që ishte duke e bo blojën në mulli, e ja kishte thanë kangës, një shka i fshatit Dollovë i kishte thënë: kno, kno se për kangë je ba. Ty aludu shkau, qe Serbia ia ka vra baben, Bajrushin.
Zeka tregojnë që e kish rreh fort shkaun, a mandej “kojshitë” tonë nga Dollova, ishin kthy me xhandarmëri, e e kishin marr me kerr t’kalit, edhe e kishin ngreh zhag deri në hyrje të Dollovës. Fati i Zekës që kishin dal shumë bashkëfshatarë,(gra e fëmijë duke kërku t’ia falnin jeten) dhe e kanë pshtu prej vdekjes së sigurt.
Zeka ka qenë i martuar me gjyshen time Zizen (në foto djathtas). Në kohën e “skamjes së madhe”, Ziza nga Tërpreza e Malishevës, kishte ardh me familje, si shumë familje të tjera, prej Drenice e Llapushe, në Dukagjin. Ato familje skamnore, gjithmonë e kanë pas derën hapun, te familja e Ukë Sahitit (familja Sejdiu në Grabanicë), familje shumë e pasur dhe bujare. Uka e kishte edhe mullinin e vet dhe kishte dhanë shumë bukë gjatë skamjes.
Zeka e Ziza kishin dy fëmijë: Himen dhe Azen (që të dy në foto).
Hima ishte luftëtar kundër nazifashizmit, nën komandën e Mehmet Shehut. Ai ishte vullnetar partizan në “brigadat e Shqipnisë” dhe si i tillë, luftoi deri në Sanxhak.
Aza u martua në Jabllanicë të Gjakovës, te Familja Brahimaj. Ajo quhej “Nënëlokja e UÇK-së” nga luftëtarët e parë dhe themeluesit e saj. Aza dha kontribut të madh në Luftën Çlirimtare.
Si fëmijë e mbaj mend që të marteve, Aza shkonte për të bo “pazar” një Klinë, gjoja për shitoren e Lahiut në Jabllanicë. Në fakt, ajo mbante lidhjet me Zonën e Drenicës, me komandantët e shquar atje, e kohë pas kohe dërgonte edhe armë me qerre kuajsh. Këto tregohen nga shumë burra të zot të Drenicës.
Aktiviteti i saj zgjati deri me 3 gusht 1998. Aza e Ziza, u vranë nga paramilitarët në shtëpinë e saj në Jabllanicë. Nanë e bijë, u flijuan që vendi ynë të ketë Liri e të ardhme.
Ne, nipat e sternipat, e tyre, patëm dy zgjidhje: T’i kërcënojmë paramilitarët se do i padisim në gjykata ndërkombëtare dhe të pranojmë të biem në dorë të tyre; ose, të jau kthejmë pushkën. Ne e zgjodhëm këtë të dytën. Pushkën nuk e ndalëm deri në ditën e fitores.
Lavdi Halla Aze e Gjyshe Zizë. Pushoni të qeta, në vendin tuaj për të cilin dhatë jetën.