Një rrëfim emocionues nga lufta çlirimtare
Ngjarjet e datave 27,28 dhe 29 janar 1999 nga këndvështrimi i një djali të ri, ushtari i UÇK-së, “pa grada ” siç isha unë.
Kush ishin Heronjt tonë që ranë në ato ditë të ftohta janari? Si i njoha disa nga ta?
Llesht e Vraniqit , i njoha gjatë rrugëtimit për në Shqipëri. Gega më thanë është i Vraniqit, shok klase në fillore me Ramushin, e bashkë me dy vëllezërit Tomen e Memën janë në luftë. Më vonë u bashkua edhe vllau tjetër Preni.
Më kujtohen mirë ato dy udhëtime.Më duket si po i shoh, Gega e Sokol Morina duke pri në kolonë, Toma në fund të kolonës, Mema, Preni, Sejdi Rama (Cia) nga Smolica e Sahit Krasniqi nga Ratkoci, që e njihnin mirë terrenin e që ishin në atë kohë e vetmja linjë furnizimi, her në fillim e her në mes të kolonës duke na pyet a jemi lodh.
Rruga të cilën e kalonim unë me ta, e ata shumë herë tjera me grupe tjera, ishte Rruga e Vdekjes.
Preni, Mema, Sejdiu e Sahiti, u përjetësuan po në këto data për lirinë tonë.
Agim Zenelin, kishim komunikim të përditshëm, sidomos kur ishte kujdestar natën, në mëngjes kur rreshtoheshin ushtarët në ngritje të flamurit.
Ishte njeri me plotë humor, trim si zana që fitoi namin kur kishte rrëzuar helikopterin në Kpuz të Klinës. Ditën kur u nisën, 96 luftëtarët, unë isha njëri prej tyre, Agimi më nxorri nga rreshti, më tha ti ke qenë dy herë, këtë radhë po shkoj unë. Pas shumë debateve, u largova nga rreshti, e Agimin nuk e pash më. U përjetësua disa ditë më pas.Lum Atdheu për trimat si Agimi.
Luan Smajli, djali baces Avdi, që skam njoft djalë më të urtë e më të buzëqeshur në Jabllanicë. I turpshëm, që skuqej kur fliste. Lum ky vend që e kishte at trim. Edhe ai ra me Agimin.
Agron Ramen e njofta sa ishte duke shëruar plagët në Jabllanicë. Burrë i urtë, nuk i dëgjohej zani. Plagët i kullonin, e ai kurrë nuk diti të gjëmonte, kurr nuk e dëgjova edhe pse dhomat i kishim shumë afër. Djalë dragua. Në rrugën e vdekjes, plagët iu shtuan, e ra për të mos vdekur kurrë.
Bashkë me Ramushin dhe disa ushtarë të tjerë, kisha fatin ta pranojmë arkivolin me trupin e tij mes Volljakës e Rakovinës, për ta sjellë në Jabllanicë për ta varrosur me nderime ushtarake.
Agush Gjocaj nga Rashiqi, i urtë, i heshtur, që shpesh na vinte nga Drenica ku ishte me detyrë. Sa herë vinte të vizitojë Rashiqin, flente në dhomën tonë në Jabllanicë. Gjithandej flitej për zotësitë e tij luftarake.
Daut Zagragja nga Banja e Pejës, djal i etur për luftë, trim me fletë. Në shikim të parë i ngjante Shkelzenit, i gjatë, mitrolezin në dorë, rrethatoren e pshtjellur në gjoks. Kushdo që qëlloi në front afër tij, tregonte për namin e tij.
Valoni, trimi nga Buçani, djali baces Muharrem, djalë zotni, sharmant, “zhurmaxhi” e i hareshëm. Djalë që e donin të gjithë e krenohen kushdo që e njohu.
Krenarë që pata fatin të ju njoh o trima, që ishim bashkë në një pjesë të rrugës për liri.
Nderi e respekti për luftëtarët e gjallë, e Lavdia për ju o Heronj.
Gazmend Syla deputet i AAK