Fragmente nga Betejat për Çlirimin e Tiranës
Fragmente heroizmi nga beteja në Mushqeta
- Sipas kujtimeve të ish veteranit të LANÇ dhe publicistit të njohur ushtarak Mihallaq Kondo –
Në betejën e lavdishme për çlirimin e Tiranës një rëndësi vendimtare pati shpartallimi i kolonës armike prej 3000 vetësh, që vinte në Tiranë nga Elbasani. Beteja e Mushqetas, në afërsi të Kërrabës është një nga betejat më të mëdha e më vendimtare që pati si përfundim shpëtimin e Tiranës.
Ja si e përshkruan skenën e kasaphanës së Mushqetas një reporter i asaj kohe:
“Kur kalon andej nuk të besohet të kenë qenë rreth 2000- 3000 ushtarë. Në bazë të materialit luftarak dhe të mjeteve transportuese, llogaritet të paktën një divizion gjermanësh. Plaçka është aq e shumtë sa të lë përshtypjen jo të një ushtrie po të ndonjë hordhie të egër. Kur krahasaon mjetet e shumta e të rënda të armikut, ushtrinë e tij të madhe që marshonte dhe natyrën e vendit, pozitat e forta të tij, me armatimet e pozicionet tona, çuditesh si qe e mundur të shpartalloheshin dhe të asgjësoheshin më tepër se 2000-3000 gjermanë vetëm nga 1200 partizanë!”
…Në mbrëmjen e 13 nëntorit në një kodër midis Ibës e Berzhitës, u mblodhën komandat e Brigadave IV, VIII, XV dhe XVII Sulmuese partizane. Shtabi analizoi luftimet e zhvilluara dhe vendosi që mësymja mbi forcat gjermane të rrethuara, të vazhdonte e pandërprerë nga të gjitha anët me pikësynim copëtimin dhe asgjësimin e tyre. Mësymja filloi në orën 6.00 të 14 nëntorit. Gryka e lumit Erzen nga Mushqetaja deri te Ura e Erzenit buçiti nga krismat e të gjitha llojeve të armëve. Në kamiona e karroca shpërtheu flaka. Partizanët me sulmin e vrullshëm të tyre, i detyruan gjermanët që të tërhiqeshin nga pozicionet sunduese që mbanin në afërsi të rrugës. Goditja me ashpërsi nga të gjitha anët, që u krye nga disa toga edhe në përleshje trup me trup, i shkaktoi dëme të tjera armikut. Gjermanët u gjendën në një situatë edhe më të vështirë kur u sulmuan nga një batalion i Brigadës XV Sulmuese që doli në befasi nga shtrati i lumit në afërsi të rrugës Bërzhitë, pikërisht aty ku pararoja e grupit të luftimit po përpiqej të hapte rrugën. Forcat gjermane, të goditura nga afër nga Mushqetaja në Berzhitë, bënë qëndresë të fortë duke kundërsulmuar sa përpara aq dhe anash e në shpinë.
Luftime shumë të ashpra zhvilloi batalioni i tretë në Berzhitë, i cili ndaloi përsëri lëvizjen e pararojës gjermane. Goditje të ashpra kryen në të njëjtën kohë edhe batalionet e Brigadave VIII, XVII dhe XV Sulmuese. Për të hapur rrugën kaluan në sulm forcat gjermane të grupit të mesit. Me gjithë humbjet e shumta që pësuan, vazhduan lëvizjen, kaluan repartin e pararojës, por pas 1 km rrugë u detyruan të ndalen për gati tri orë. “Marshimi i pararojës, – shkruhet në raportin ditor të komandantit gjerman, – ka qenë jashtëzakonisht i vështirë. Marshimi kaloi në rrugën e zjarrit në një gjatësi prej 6 km duke u rrahur me armë të rënda. Rruga ishte e minuar, ishin hapur gropa dhe ishin bllokuar me tela, mundën të kalojnë hap pas hapi, por pati humbje, si reparti i pararojës, ashtu dhe kolona e motorrizuar”.
Në orën 11. 30 të datës 15 nëntor mbërritën në Bërzhitë 4 tanket që ishin nisur 30 orë nga Tirana, por që u goditën gjatë rrugës nga batalioni i katërt i Brigadës V Sulmuese dhe nga forcat e Brigadës VIII Sulmuese. Forcat e pararojës, pasi rregulluan urën e Erzenit, vazhduan lëvizjen drejt urës së Farkës. Në këto 2-3 km ajo u godit dhe iu shkaktuan dëme nga batalioni i parë i Brigadës I Sulmuese dhe batalioni i tretë i Brigadës VIII Sulmuese. Kurse për çbllokimet e forcave kryesore të mbetura në Berzhitë dhe Ibë, që kishin humbur gjysmën e efektivit të tyre, komandanti gjerman përdori përsëri tanket për largimin e forcave partizane nga rruga. Në raportin ditor të komandës gjermane flitet për asgjësimin krejt të kompanisë së dytë dhe përgjysmimin e kompanive që komandoheshin nga koloneli Kahlert. Rruga ku ishte bllokuar grupi i mesit ishte e mbushur me automjete të shkatërruara nga të gjitha llojet, me ushtarë të plagosur, të vdekur ose që po vdisnin. Në një gjendje më të rëndë ishte pararoja e kolonës së bllokuar në Mushqeta nga batalioni i parë dhe i dytë i brigadës. Aty gjermanët, për t’i shpëtuar asgjësimit, u futën nëpër shtëpitë, oborret, shkurret dhe pas mureve të kopshtijeve dhe që bënin zjarr të pandërprerë.
Më datën 16 nëntor, forcat e brigadës së Mushqetasë-Ibë-Bërzhitë dhe deri te Ura e Farkës së bashku me forcat e Brigadave XVII, XV dhe VIII Sulmuese, u morën me grumbullimin dhe sistemimin e materialeve të kapura, si municione, armë, veshmbathje, ushqime, kamiona, karroca etj.
Humanizëm edhe për nazistët e plagosur
Partizanët dhe fshatarët u morën edhe me varrosjen e gjermanëve të vrarë. Infermieret e kompanive e të batalioneve, krahas mjekimit të partizanëve të plagosur mjekuan dhe ushtarët e oficerët gjermanë dhe të gjithë u transportuan për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, po ashtu shoqëruan për në Tiranë edhe robërit e zënë.
Ndihmë të madhe e të pazëvendësueshme u dhanë forcave partizane fshatarët e fshatrave ku u zhvilluan luftimet, sidomos të Cirmës e të Mushqetasë, Ibës e Bërzhitës, Pëllumbasit e Skuterrës deri në Vishaj, Mullet etj. Fshatarët i furnizuan partizanët me ushqime në shtëpitë e tyre dhe në pozicionet ku luftonin, tërhoqën dhe varrosën të rënët, mjekuan të plagosurit, transportuan municionet, kryen detyra të udhërrëfyesit dhe të korrierëve etj. Ndihmesë të veçantë ata dhanë në ditët e fundit të luftimit duke gjetur gjermanët e fshehur pyllit.
Edhe në betejën më të vështirë, humori popullor tiranas ishte i befasishëm
Dhe ja ç’ndodhi me disa fshatarë, ditën e 16 nëntorit kur partizanët grumbullonin në Ibë materialet e kapura dhe i përgatisnin për t’i nisur në Tiranë. Partizanët u alarmuan menjëherë, rrëmbyen armët dhe zunë pozicionet kur panë që po zbrisnin nga pylli rreth 30 veta, 15 “gjermanë” me pushkë dhe të tjerët veshur si fshatarë. Partizanët, duke biseduar me njëri-tjetrin, thoshin: “Këta qena akoma duan të bëjnë krime mbi popullin tonë?” Në këtë moment u dëgjuan të thirrura nga fshatarët: “Mos shtini se jemi fshatarë që kemi zënë gjermanët”. Partizanët nuk po kuptonin se ç’po ndodhte. Kur u afruan mirë, u sqaruan se si kishte ndodhur. Fshatarët treguan se duke kërkuar pyllit panë se në përrua rreth 15 gjermanë që rrinin afër njëri-tjetrit. Gjermanët lanë armët siç i kishin në tokë dhe u dorëzuan. Atëherë fshatarët u zhveshën rrobat, kapotat, xhaketat, pantallonat, bustinat e këpucët dhe i veshën vetë, kurse të tyret ua dhanë dhe i veshën gjermanët. Kur partizanët e dëgjuan këtë nga goja e fshatarëve si kishte ndodhur, ia dhanë të qeshurit, kurse Niqi Shkodrani, delegate politike toge, tha që këtë gjendje ta përgatisnin e ta shfaqnin me popullin në Tiranë.
Rruga nga Qafë Kërraba deri te Ura e Farkës u mbush me ushtarë e oficerë gjermanë të vrarë e të plagosur, me topa, makina, karro të mira e të shkatërruara, me kuaj e mushka etj. “Në mëngjesin e datës 16 nëntor, – shkruhet në ditarin e batalionit të tretë, – me urdhër të shtabit të brigadës fillojmë grumbullimin e materialit që kish mbetur në rrugë dhe nëpër makina e karroca. Kur ecim rruga është e mbushur plot me gjermanë të vrarë dhe me makina e karroca të shkatërruara. Gjakun që kishin pirë gjermanët nga populli shqiptar, e derdhën këtu.”
Epilogu: Ja si e përshkruan skenën e kasaphanës së mushqetas një reporter I asaj kohe:
“Kur kalon andej nuk të besohet të kenë qenë rreth 2000- 3000 ushtarë. Në bazë të materialit luftarak dhe të mjeteve transportuese, llogaritet të paktën një divizion gjermanësh. Plaçka është aq e shumtë sa të lë përshtypjen jo të një ushtrie po të ndonjë hordhie të egër. Kur krahasaon mjetet e shumta e të rënda të armikut, ushtrinë e tij të madhe që marshonte dhe natyrën e vendit, pozitat e forta të tij, me armatimet e pozicionet tona, çuditesh si qe e mundur të shpartalloheshin dhe të asgjësoheshin më tepër se 2000-3000 gjermanë vetëm nga 1200 partizanë!”
Po, kjo është e vërteta e lavdisë dhe heroizmit partizan, siç është edhe veprim i turpshëm dhe tradhëtar i atyre që bashkëpunuan me pushtuesit e huaj!
Përgatiti: SADIK MURAJ