Muaj Dhjetor , muaj reflektimi, nga poetja Ganimete Jakupi
MUAJI DHJETOR, MUAJ I REFLEKTIMIT…
Të gjitha vitet kanë veçoritë e tyre, stinët dhe muajt. Secili nga ne kur përmenden muajt ndër të tjera kujtojmë: datëlindjet, dasmat, ahengjet, takimet e ndryshme, fëmijërinë, familjarët e gjallë apo të cilët kanë vdekur dhe nuk janë më në mesin tonë etj. Ndërsa kujtimet mbesin në mendjen tonë pa marrë parasysh si kujtime të bukura apo të hidhura.
Ne shpeshherë kalojmë çaste të bukura apo të hidhura me familjarët, miqtë apo njerëzit që kemi përzemër, mbase shpeshherë mund t’i harrojmë datat dhe ditët kur saktësisht kanë ndodhur, por asnjëherë nuk i harrojmë ato momente ndjenjat se si jemi ndierë me njerëzit që kemi pas afër…Shumëherë mbase edhe kemi kuptuar se kush na u është gjendur afër në momentet e bukura edhe ato më të vështira, mbase në momentet e bukura na u janë gjendur shumë njerëz që na rrethojnë, por në momentet e vështira shpeshherë janë zhdukur shumica e njerëzve duke të lënë me njëmijë pikëpyetje në mendjen tonë e duke mos kuptuar asnjëherë arsyet e largimit të tyre, madje kupton se ata kurrë nuk kanë qenë të vërtetë në raportin me ju, por thjeshtë janë shtirur si të tillë ashtu siç ju ka leverdisur…
Në muajin dhjetor secili prej nesh reflekton në shumë mënyra: Disa kanë pasur suksese, disa kanë pasur sfida të ndryshme, disa kanë pasur zhgënjime, dështime, plane etj…dhe vjen një moment kur në këtë muaj i mendon të gjitha dhe reflekton se si ka qenë ky vit në përgjithësi, i mirë (me fat) apo jo edhe aq i mirë(ters), mbase çdo ditë e jetës që jetojmë është një mundësi për të ndryshuar tek vetja, kupton se ndoshta shumë gjëra që kanë ndodhur po të kthehej koha mbrapa nuk do t’i bëje, do pendoheshe?!… Shumë mundësi që ke pasur do t’i shfrytëzoje, nuk do t’i lije të të iknin nga duart se mbase “Një herë në vit vjen vera kah dera”… Ëndërrat, synimet që ke realizuar tanimë të kanë dhënë një epitet tjetër dhe ndihesh më superior, e i përmbushur shpirtërisht me veten duke menduar sfidat që ke kaluar…Të gjithë këto të bëjnë të reflektosh se çfarë duhet të ndryshosh tek vetja?!..
Muajin dhjetor e mendon si një përmbyllje kapitulli të një viti me plot përjetime të ndryshme, këtë muaj shpeshherë e planifikon si një ndër muajt kur do të festosh me njerëzit që ti ke përzemër, do të zgjedhësh rrobat më të bukura për të veshur, dhuratat më të bukura për t’i dhuruar, ushqimet më të shijshme për t’i gatuar (servuar), do të ikësh nga rutina mbase për të zbuluar një vend të ri apo për të takuar njerëz, miq të rinj, të ringjallet një lloj optimizmi të mendosh se diçka e bukur ka për të ndodhur tash e tutje, atmosfera e cila krijohet rreth teje plot ndriçim, qytete, vende të stolisura çdokund për një moment që shikon të bëjnë të reflektosh ndryshe, të harrosh gjithçka që ka ndodhur, dritat me shkëlqimin e tyre, ngjyrat duket se ta kthejnë buzëqeshjen edhe nëse po përjeton momentet më të këqija apo më skeptike në jetën tënde, sa e sa lutje shkojnë në qiell duke e lutur Zotin që ëndrrat dhe dëshirat që ke të realizohen në Vitin e Ri…
Reflekto, duaje veten së pari, asnjëherë nuk është vonë për asgjë, çdo gabim të jep një mësim, askush nuk është perfekt, prano gabimet dhe kërko të falur, të kërkosh falje është hyjnore, njerëzit e fortë e me një shpirt të madh-falin (vetëm ata të dobëtit duan hakmarrje), çdo dështim përveç se është mësim të bën të reflektosh ndryshe, të bën më të fortë, mos u dorëzo asnjëherë në synimet, planet që I ke vënë vetes, sepse njeriu i gjallë përjeton gjithçka, por fati është I atyre që guxojnë…
01.12.2024
©️Ganimete Jakupi, Zvicër.