Reagim nga Bardhyl Mahmuti

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u themelua nga Kryersia e LPK-së, Dega Jashtë Vendit, por në Kosovë, në një proces të gjatë plot sakrifica!

(Kur “kumbarët” prezantohen si më të rëndësishëm se ata që i dhanë jetë UÇK-së!)

Jo vetëm në këtë 17 nëntor, kur Shoqëria “Lëvizja” organizoi akademi për “30 vjetorin e UÇK-së”, por edhe në të kaluarën kemi pasur raste të shpeshta kur data e emërtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është prezantuar si të ishte datë e themelimit të UÇK-së dhe ish-udhëheqës të Degës së LPK-së Jashtë Vendit lëshohen në spekulime se kush ishte kumbara që “pagëzoi” UÇK-në.
Të gjithë ata që kanë qenë në rrjedha të rezistencës sonë kombëtare e dinë fare mirë se lindja e UÇK-së i ka rrënjët në gjakun dhe sakrificat e shumta të atdhetarëve që u mobilizuan për realizimin e aspiratave kombëtare të shqiptarëve që mbetën nën Jugosllavi dhe është rezultat i një procesi të gjatë e jo i një vendimi.
Është interesant se edhe në këtë përvjetor, ish-anëtarë të kryesisë së Degës së LPK-së, Jashtë Vendit nuk harruan të përmendin se krahas vendimit për emërtimin e njësiteve të armatosura në Kosovë, në mbledhjen e 17 nëntorit 1994, kjo kryesi kishte vendosur “që trupa komanduese të quhej Shtabi Qendror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të fillohej me publikimin e komunikatave në emër të saj”.
Edhe gjatë këtij përvjetori jubilar nuk u harrua të përmendej fakti se komunikata e parë që është lëshuar në emër të Shtabit Qendror të UÇK-së mbante numrin 11, për të përfshirë 11 aksionet që ishin kryer përpara se të fillohej me lëshimin e komunikatave. Vendimi i Kryesisë së LPK-së, që në emër të “Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” të marrë përsipër njëmbëdhjetë aksionet e kryera kundër forcave të okupatorit, dëshmon që Shtabi Qendror nuk ishte organ komandues që kishte përgatitur, organizuar dhe komanduar kryerjen e aksioneve, por një qendër që merrte përsipër aksionet që ishin kryer nga njësitet e armatosura.
Gjatë tërë kohës së luftës, si në rastin e Shtabit Qendror, kur komunikatat janë lëshuar nga kryesia e LPK-së, edhe në rastin e Shtabit të Përgjithshëm, nuk kemi një organ drejtues të operacioneve ushtarake, por qendër të orientimit propagandistik. Në dallim nga periudha, kur njësitë e armatosura të UÇK-së ishin numerikisht të pakta dhe në emër të saj “fliste” vetëm Shtabi Qendror, “në kohën e Shtabit të Përgjithshëm” shtrirja e luftës së armatosur kishte marrë karakter të përgjithshëm kombëtar dhe përveç komunikatave që lëshoheshin në emër të Shtabit të Përgjithshëm, vazhdimisht kemi pasur publikimin e komunikatave të zonave operative, deklarata të zëdhënësve të këtyre zonave e kështu me radhë. Me një fjalë, asnjëherë nuk arritëm të kemi një shtab të vetëm propagandistik, që “do të fliste” në emër të tërësisë së forcave të armatosura.
Me keqardhje konstatova se në këtë akademi munguan luftëtarë të gjallë të lirisë, pjesëtarë të njësiteve që kishin kryer jo vetëm 11 aksionet që i mori përsipër Shtabi Qendror i UÇK-së nëpërmjet komunikatës nr 11, të lëshuar nga Kryesia e Degës së LPK-së, Jashtë Vendit, por që kishin luftuar deri në çlirimin e vendit! Ndoshta ish-anëtarët e kryesisë së LPK-së, Dega Jashtë Vendit, nuk e kanë parë të arsyeshme t’i thërrasin, sepse mendojnë që ende i kanë kompetencat të flasin në emër të organizatës dhe ta interpretojnë historinë nga këndvështrimi i Sekretariatit të Komitetit të Degës!
Po e përsëris: Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u themelua nga Kryersia e LPK-së, Dega Jashtë Vendit, por në Kosovë, në një proces të gjatë plot sakrifica!

Lavdi të rënëve për liri!
Respekt për çdo luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!