Kryeministri Albin Kurti kujton të madhin Indrit Cara
Sot është ditëlindja e tij, kur ai do të bëhej 53-vjeçar, sikur të mos e kishte patur fatin të binte dëshmor duke luftuar për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e kombit të tij. I lindur më 11 korrik 1971 në Kavajë, Indrit Cara ra dëshmor me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 31 mars 1999.
Pas përfundimit të shkollës fillore, Indrit Cara u pranua për shkollim të mesëm në Shkollën Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1989. Pas kësaj ai i vazhdoi studimet në Shkollën e Bashkuar për artileri kundërajrore. Trazirat popullore më 1990 kundër regjimit komunist në Shqipëri, e gjetën Indritin student në vitin e dytë, por meqë ai refuzoi të merrte pjesë në përpjekjen për të ndaluar revoltat popullore, u përjashtua nga shkolla.
Në gusht të vitit 1991, Indriti migroi në Itali ku qëndroi deri në verën e vitit 1994 kur u largua drejt Londrës në Mbretëri të Bashkuar, ku jetoi bashkë me vëllain e tij Dorjanin. Atje, në një mbrëmje letrare kushtuar Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, Indriti u njoh dhe u afrua me eksponentë të organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës dhe përmes anëtarit të saj, Pleurat Sejdiu në fund të vitit 1997 u bë anëtarë i LPK-së. Nga Londra, Indriti botoi disa shkrime te gazeta “Zëri i Kosovës” ku ai bënte thirrje për bashkimin dhe mobilizimin e shqiptarëve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Më 26 janar 1999, Indrit Cara bashkë me tre shokë të tij llapianë, Halil Shalën, Faton Murtezin dhe Ismail Prestreshin, u nis nga Londra drejt Tiranës. Fillimisht i vizitoi prindërit në Kavajë që nuk i kishte parë prej shtatë vitesh dhe pastaj u kthye në Tiranë prej nga u nis drejt Kukësit. Pas disa ditë përgatitjesh dhe stërvitjesh në Kukës, më 10 mars 1999, Indrit Cara bashkë me shokë të tjerë vullnetarë arriti të futej në Kosovë, pas luftimesh të ashpra në kufi me ushtrinë jugosllave, gjatë të cilave u plagosën Faton Murtezi dhe Besnik Beqiri.
Megjithëse ishte nisur nga Londra me mendjen që të sistemohej diku në Zonën Operative të Llapit, Indrit Cara u vendos fillimisht në Zonën Operative të Pashtrikut, ku u njoh me oficerin e armatës shqiptare, Dilaver Goxhaj, zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Menjëherë, Indrit Cara e fitoi simpatinë e bashkëluftëtarëve të UÇK-së, mes të cilëve Indriti u njoh si Ushtar Kavaja. Më 31 mars 1999, në fshatin Peçan të Suharekës, ushtarët e UÇK-së u përballën me forcat serbe në një betejë të ashpër gjatë të cilës, në maje të malit të Gallushës, Indrit Cara fillimisht u plagos dhe pastaj u vra nga copat e dy predhave të artilerisë serbe. Kështu, Indrit Cara ra dëshmor në luftën e drejtë të UÇK-së dhe të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës. Duke nisur nga bashkëluftëtarët e tij dhe deri te brezat e ri, populli i Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës, do ta kujtojnë Indrit Carën për angazhimin dhe luftën e tij për lirinë e Kosovës dhe për shembullin e tij aq sipëror prej luftëtari të lirisë dhe prej dëshmori të kombit.
Lavdi Ushtar Kavajës, luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lavdi dëshmorit Indrit Cara mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!