Fakulteti Filologjik kujton profesorin Muhamed Kërveshin

Në Fakultetin e Filologjisë u mbajt Mbledhja Komemorative për Prof. Muhamed Kërveshin

Sot më datë 19/02/2025 në Fakultetin e Filologjisë është mbajtur mbledhja Komemorative për Prof. Muhamed Kërveshin (1935 – 2025), i cili për shumë vite ka qenë profesor në Departamentin gjuhës dhe letërsisë frenge në Fakultetin e Filologjisë. Muhamed Kërveshi ka dhënë kontribute shumë të çmuara edhe në përkthimin e letërsisë frënge, dhe studime për letërsinë dhe kulturën frënge.
Përveç studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Filologjisë, në mbledhje morën pjesë edhe familja e profesor Kërveshit.

Në fjalën e tij, dekani i Fakultetit, Abdulla Rexhepi, tha se Prof. Muhamed Kërveshi në Fakultetin tonë kujtohet si një mësimdhënës i devotshëm, studiues i përpikët, përtkhyes briliant i letërsisë frenge në gjuhën shqipe, por edhe si një krijues i veçantë i poezisë. Në fund të fjalës, dekani, në emër të menxhamentit dhe stafit akademik të Fakultetit të Filologjisë, i shprehu ngushëllime familjes dhe kolegëve të prof. Muhamed Kërveshit.

Ndërsa në fjalën e saj, prof. Nerimane Kamberi, shefja e Departamentit të gjuhës dhe letërsisë frënge, tha se Prof. Kërveshi dha dije dhe la trashëgimi, një trashëgimi të pasur, të vlefshme ndër brezash, përkthime të poetëve të mëdhenj francez, por edhe studime për këta poetë dhe për veprat e tyre. Prof. Kamberi shtoi se Muhamed Kërveshi ishte një “zë i veçantë artistik”, ndonëse vetë ishte poet, që diti t’i kthej kaq mjeshtrisht në shqip “zërat e veçantë artistik freng.”

Në emër të familjes së prof. Kërveshi foli e bija, Ardita Kërveshi, e cila theksin e vuri në përkushtimin e prof. Muhamedit për dijen, letërsinë, dhe sidomos për studentët dhe Universitetin e Prishtinës. Ajo gjithashtu tha se “babai na ka edukuar, si në rrafshin edukativ-arsimor, ashtu edhe në kulturë, por edhe në rrafshin kombëtar”.

Në fund në mbledhjes komemorative, të pranishmit patën rastin të shkruajnë vlerësimet dhe mendimet e tyre në Librin e Zisë për prof. Kërveshin, si dhe i shprehën ngushëllime familjarëve për vdekjen e më të dashurit të tyre.