Amerika fuqishëm prezente në Kosovë

Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, me disa fotografi të ushtarëve amerikanë në Kosovë ka shprehur urimin për Pavarësinë e Kosovës.“Kjo javë shënon 17- vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së popullit të Kosovës”- thuhet në postimin që ky mision e ka bërë në rrjetin social “X”, më 18.02.2025. Ky mision poashtu ka shprehur mirënjohjen e përzemërt për SHBA-në dhe forcat aleate për punën e tyre përmes misionit të KFOR-it, një operacion për mbështetjen e paqes i nisur në vitin 1999.

“Përpjekjet e tyre vazhdojnë për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”- shkruan në postim.

Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës. Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi. Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit.

Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.RD