Liri e Plagosur -Editorial nga Mr.Florent Selca
Liri e Plagosur nga Mr.Florent Selca
LIRI E PLAGOSUR
I rrudhën krahët para lufte e i fërkuan duart pas saj. Qëndruan në heshtje gjatë pushtimit e morën zë në liri.
Përbuzën e ofenduan çdo përpjekje e sakrificë për liri.
Dje dhe sot, po mbushin tribunalet me akuza që dëshmojnë tradhëtinë e tyre, por që fatkeqësisht po na plagosin lirinë.
Të dhemb shpirti kur t’i shikosh në robëri ata që na sollën lirinë, por të vjen të ulërasësh kur shikon ngazëllimin në sytë e disa të verbërve që inati e lakmia ia kanë humbë “shikimin”.
I ulur aty ku s’duhet, presidenti ynë ngre dorën kundër padrejtësisë me shikimin e ngulitur drejt një trupe gjykuese që synim ka poshtërimin e popullit tim. Ç’ndjejnë ata burra kur shohin para tyre sejmen që akoma kanë empati për pushtuesin, e nuk hezitojnë të dëshmojnë kundër tyre.
Ka ardhur koha të flasim pa filtra. Tribunalin e inicuan shqiptarët, e formuan shqiptarët, i ngritën akuzat shqiptarët, po dëshmojnë shqiptarët e në fund po dënohen vetë shqiptarët. Çka është e rëndë për t’u kapërdirë, kur shikon teksa lartësohen ata që villin vrer kundër çdo vlere që na solli lirinë.
Zgjohu o Pashko Vasa e shikoje Kosoven ku ka mbetë, e kuptojmë sërish që vetë e kemi fajin për faqe të zezë.
F. SELCA