Kryeministri Albin Kurti fletë për arritjet e Qeverisë së tij

Në të kaluarën, për shkak të kritereve diskriminuese, qytetarët ishin larguar nga skema e asistencës sociale edhe kur punësimi i tyre mund të kishte zgjatur vetëm një muaj. Por reforma jonë i thotë jo diskriminimit dhe përveçse mbështet punësimin për gjashtë muaj, njëkohësisht nxit qëndrueshmërinë e saj edhe pas një periudhe tjetër shtesë prej gjashtë muajsh.

Mbështetjen për këto familje po e fillojmë me subvencionimin e 70% të pagës bruto të punëtorit, për gjashtë muaj me radhë, deri në maksimum prej 350 euro në muaj. Tutje, për punëdhënësit që angazhojnë punëtorin e njëjtë edhe për gjashtë muaj të tjerë, në përfundim të kësaj periudhe, mund të përfitojnë një shumë të njëhershme në vlerë prej 20% të mesatares së pagave të punëtorit në gjashtëmujorin e dytë.

Me masën që prezantuam sot vazhdojmë të rrisim përkrahjen për familjet, krijimin e vendeve të reja të punës, dhe jetës më të dinjitetshme për familjet dhe qytetarët. Se Qeveria është për familjet, e dëshmojnë shtesat për fëmijë, shtesat për lehona, subvencionimi i energjisë, rritja e pensioneve dhe rritja e pagave, e se Qeveria është për secilën familje pa dallim, e vërtetojnë masa si kjo e sotmja, që shtrijnë ndikimin edhe tek ato familje që e kanë pasur të pamundur ta ndjejnë dorën e shtetit në të kaluarën.