Opinion nga Gjon Bruçi

MAFIA E SHËNDETËSISË DHE E QEVERISË!

-Gazeta SOT, 28 Qershor 2024 –

Tani në fundin e mandatit të tretë, dhe kur po gatitet të përlajë dhe të katërtin, qeverisja aktuale po shoqërohet me “dendësi” skandalesh. Më i fundit, ishte skandali i para dy ditëve në Spitalin e Onkologjikut, ku mjekohen të sëmurët me tumor. Skandali, nuk kishte të bënte me një apo dy punonjës të spitalit, mjekë, infermjerë apo administratorë, por me një skuadër të strukturuar e të organizuar për të realizuar me sukses “rolin” e mafies në spitalin në fjalë, pjesë integrale e gjithë sistemit të shëndetësisë e të vetë qeverisë.

Skandali i Enkologjikut, ka ngjyrat e plota të gjenocidit ndaj të sëmurëve me kancer, apo dhe të tjerëve, të cilët i janë dorëzuar mjekëve, spitalit dhe vetë shtetit, me shpresën për jetën, duke mos e besuar se në sistemin kapitalist, “njeriu për njeriun është ujk”!

Të detyruar nga “plasja” e skandalit, që nuk është as i pari e as i fundit në këtë sektor, Kryeministri, Ministri i Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë, në forma të ndryshme, dhanë prononcimet e para, duke shprehur me mimikë dhe me ligjërata, revoltën për këtë turp “kombëtar” të “disa bluzave të bardha”, të cilët, sipas tyre, nëse vertetohen dyshimet, “do të vishen me bluzat me vija të qelisë së burgut”.

“Shqipëria, – tha Kryeministri në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist, – ka një administratë publike, që ka një pjesë të bardhë, por ka edhe një pjesë të zezë . . . Përfitoj nga rasti të falenderoj dhe të inkurajoj prokurorët e SPAK, dhe me shpresë edhe të tjerë në prokuroritë e zakonshme, që të bëjnë gjithçka që munden, duke e zvogëluar përditë atë pjesën e zezë, e cila është një turp kombëtar, turp shtetëror, turp popullor, turp për të gjithë!”

Nga katër “turpe” që përmend Kryeministri, tre bien poshtë. As kombi, as populli, e as të gjithë qytetarët, nuk kanë përgjegjësi për pjesën e zezë të administratës shtetërore, por bash drejtuesi i kësaj administrate, Kryeministri Rama. Ai ka plot 11 vjet në krye të qeverisjes, kohë e mjaftueshme për ta “selitur” administratën, gjer sa ajo të behej plotësisht e bardhë. Nëse këtë nuk e ka arritur, çka e tregojnë skandalet e përditshme, atëhere paaftësia e tij duket sheshit, dhe për rrjedhojë, më e pakta punë që duhej të bente, është ajo e dorëheqjes. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë, përderisa edhe adashi i tij Berisha, me shumfishin e skandaleve mbi kurriz, vijon të bilbilosë për ndershmëri nga ballkoni mbi rrugën e “Shpresës”.

I njëjti qëndrim edhe nga Ministri i Drejtësisë, Manja, i cili na thotë se “hetimet administrative kanë nisur që nga janari i viti 2023”, . . . por nuk na thotë se pse këto hetime nuk u kurorëzuan me sukses nga drejtuesit e administratës? Madje edhe prokuroria, arriti ta zbulonte skandalin, falë informimit të një klienti, që e kishte vuajtur mbi kurriz mafiozllëkun e shëndetësisë.

Në të njëjtën linjë edhe Ministrja e Shëndetësisë, përgjegjësja e drejtpërdrejtë e këtij sektori. Ministresha Koçiu, jo vetëm shpreh indinjatën e saj ndaj këtij skandali e turpi, por premton se do të merren masa urgjente dhe të ashpra administrative e ligjore.

Por për fat të keq, asnjëri nga këta titullarë e Kryetitullarë të administratës së shtetit, nuk u kujtuan të përmendnin përgjegjësitë e tyre dhe pasojat që dueht t’i vuajnë.

Po cilat ishin disa nga mafiozllëqet e kësaj “skuadre të strukturuar”, që unë e quajta “skuadër mafioze”? Mungesa e ilaçeve të reja për pacientët; përgjysmimi i dozës së inxheksionit, me qëllim që gjysmën tjetër ta shisnin tek privati; heqja fare e ilaçeve apo injeksioneve për pacientët që mendohet se po shkojnë drejt fundit të jetës; prishja me qëllim e aparaturës mjekësore të kontrollit (skaneri, etj.), çka I detyron pacientët të shkojnë për terapi tek privati; indiferentizmi ndaj ecurisë së sëmundjes së pacientit, çka na e tregon regjistrimi i dialogut të infermjeres me mjekun, ku infermjerja i thotë se “të sëmurët në pavion janë me temperature, dhe mjeku, një riosh bullafiq e kuqalash ia kthen “vari lesht. . . !”; e deri tek biseda mes njëri-tjetrit për llogaritjet e fitimeve “ekstra” nga operimet e pacientëve, me të cilët do të siguroheshin pushime në Maldive, etj. etj.

Po të ishte puna vetëm për rastin e Onkologjikut të Titanës, edhe mund ta kapërcenim shqetësimin, por qytetarët janë të sigurtë se këto fenomene shtrihen në të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore të vendit. Ejani në Shkodër, për shembull t’ju tregoj rastin tim, që megjithëse me sigurime shëndetësore 30 vjeçare, në muajin janar 2024 u detyrova të bëj “skanerin” në “Klinikën amerikane” (me mjekë shkodranë), sepse “skaneri” i spitalit publik ishte i prishur, i ishte këputur një gjilpërë . . . Si pasojë, ajo “gjilpëra” e këputur e spitalit publik në Shkodër, m’u ngul në prapanice, shoqëruar me plot 20 mijë lek të reja, ose 200 mijë lek të vjetra (një pension mujor). Dhe kjo ndodh jo vetëm me “gjilpërat” e prishura të skanërve, por edhe me analizat e zakonshme, që detyrohesh t’i bësh në privat, mbasi publiku t’i sjell përgjigjet pas 5 apo 6 muajsh, kur sëmundja ka kaluar, apo kur ti vetë ia ke “kaluar” sëmundjes.

Ç’ka ndodhur me shëndetësinë, që para nënëdhjetës e patëm falas, dhe po të tillë na e premtoi edhe “demokracia”, dhe veçanërisht Edi Rama kur erdhi kryeministër? Ajo që ka ndodhur janë “Reformat” e Ramës, që realisht ishin ose janë kthyer në “Refirma” në kurriz të qytetarëve. A mund të ketë në vendin tonë, qoftë dhe një njeri, i cili të besojë se “dy punësimi” i mjekëve do të zgjidhte problemet e shëndetësisë, qoftë edhe duke tre apo katërfishuar rrogat e mjekëve? A mund ta besojë njeri se PPP e tenderave të analizave, të sterilizimit, të “çekapit”, etj. etj., do të përmirësonin e zgjidhnin problemet në këta sektorë me probleme? Asnjeri nuk e ka besuar, madje as vetë autorët e këtyre “Reformë-Refirmave” të çuditshme. Po, këtë e kanë besuar ata që lidheshin me këto “dypunësime” me këto “tendera”, me këto akrabacira, të cilat siç u pane, na çuan tek skandali i “Onkologjikut”, modeli i sotëm i shëndetësisë shqiptare. Po ndalemi pak rreshta vetëm tek dypunësimi i mjekëve: Në shtet dhe në Privat. A mund të ketë njeri të besojë se mjeku, pasi ka punuar tetë orë në spital apo klinikë publike, do të vijojë edhe tetë orë të tjera në ato private? Realisht ndodh e kundërta”, orët e “privatit” ai i shton në kurriz të “publikut. Kjo ndodh sepse rroga në publik është fikse, ndërsa në privat gjeneron shifra të tjera më “sinjifikative”.

Për çudi, që në fakt është marri e shkuar marrisë, dypunësimi është shtrirë edhe në sektorë të tjerë të administratës shtetërore, gjer tek strukturat e Ushtrisë. Për konkretizim, po sjell rastin e zotit Bajram Begaj, President i Republikës. Kur ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, përveç aseteve të pasurisë, si toka, banesa, garazhe, dyqane dhe sipërfaqe toke, zoti Begaj zotëronte edhe një klinikë private mjekësore (si mjek në profesion) dhe njëherësh mbante leksione si lektor i jashtëm në disa Universitete të vendit. Të gjitha këto asete, përfshi edhe “Klinikën”, mund ti kollandriste nëpërmjet të tretëve, ose në kohën e lirë dhe natën. Po, si mund t’ua bënte leksioneve të Universiteteve, të cilat zhvillohen ditën dhe jo natën apo të dielave? Ja pra që ia bënte: Linte detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ose më saktë “ia dorëzonte atë NATO-s”, dhe vraponte tek leksionet!!! Doemos, kështu zhvillohet edhe çdo skemë e dypunësimit, kur NAKATOSET puna publike me atë private.

Përsëris për të disatën herë, nëse begenis ta dëgjojë njeri: Në gjithë “plejadën” e elitës drejtuese të tranzicionit 34 vjeçar të “gërrmërrkracisë”, dy personalitete do të mbeten gjatë në kujtesën e historisë: Berisha dhe Rama. I pari për shkatërrimin e Shqipërisë dhe i dyti për degjenerimin e saj. Nëse këta të dy, do të vijojnë të na menazhojnë jetën tonë politike, ekonomike e sociale, fundiin si vend e si komb do ta kemi të shpejtë e të plotë.