Vështrim nga mr.Florent Selca

MOS IK, RRI K’TU

Unë dhe familja ime do jetojmë e veprojmë këtu. Ky është vendi ku ka jetu stërgjyshi, gjyshi, baba, unë dhe besoj edhe djali im.
Kurrë në jetë nuk kam menduar që jetën ta organizoj diku larg në perëndim apo përtej Atlantikut . Ëndrrat i kam pa shqip e aspirata ime ka qenë dhe do mbetet, vendi im i zhvilluar dhe plot jetë. Djali im dëgjon nga unë fjalë të bukura për Kosovën dhe motivohet të jetojë dhe punojë këtu.
Ata që aspirojnë largimin definitiv nga atdheu, nuk mund ta duan tokën ku kanë lindë. Ata që gjithmonë nxjerrin vrerë për vendin e tyre, nxisin fëmijët të ikin nga këtu.
Realisht shumë nga ne nuk e duam këtë tokë. Egoizmi për pak ma shumë para në xhep, na ka etiketu si një popull endacak që popullojmë banhofet e Gjermanisë, duke jetu me dyfish ma më shumë para, por katërfish më pak njeri.
Lakmia për para, t’bon m’i lëshu tokën ku linde, e ata që t’sollën në jetë m’i lonë vetëm. Lakmia për pare t’bon që fëmija tu me mësu e me fol gjuhën e huj e me harru gjuhën tone.
Lakmia për pare t’bon me t’u sëmu babë e nonë e ti m’i pa veq n’kamerë. Egoizmi në rini, t’bon m’u plakë aty ku as numër nuk je e vjen vendlindje kur as këtu si nevojitesh askujt.
A e dini o njerëz se atdheu i fëmijëve tuaj, është aty ku kanë lindë. Shkollat tona po mbyllen e fëmijët tanë po na i edukon zvicrrani e gjermani e kur t’i pyesësh baballarët thonë po iki për një të ardhme të sigurt për fëmijët, e me çfarë sigurie u lindëm e u rritëm ne? Sa egoizëm ekstrem t’i dhurosh fëmijës tënd një atdhe tjetër. Sa turp ta konvertosh identitetin e fëmijës tënd me identitetin e një kombi që ne na konsideron si racë inferiore. Njerëz servil e qytetarë pa dinjitet paskemi qenë.
Shpijat thatë e tokat djerrë, shkollat fantazmë e rrugët zbrazët. Këtë regji me këtë skenar as armiku nuk do kishte zemër me bo.
Realisht ndjej neveri për ata që për pesë pare e shesin tokën ku kanë le.