Poezi nga shkrimtarja eminente Eva Tafa
🐞🐞
Të lashë në dush në dhomën 138
Dhe shkova…
Ti u bëre për ujë të ftohtë,
Sepse kur të përplas lumturinë time në fytyrë,
Ti rrëzohesh keq përdhe.
Mos thirr të kthej kokën pas,
As mos prit të kthehem me vrap tek ti,
Je një egocentrik,
Që nuk i duhesh as djallit.
Kam dëgjuar për krismat e bëmave të tua,
Të gjitha gratë, që kanë qenë në jetën tënde,
I ke braktisur sikur të ishin shtëpi pas tërmetit,
I ke humbur si një lojë kumari,
Apo kanë shpëtuar prej vrragëve e gjurmëve tua të ashpra.
Secila grua,
Duke ikur prej teje,
Ka mbajtur gjallë atë copë ndjenjë,
Mbase të dekompozuar,
Mbase të dhunuar,
Mbase të mallkuar.
Unë të lashë,
Për të të thyer hundën e kapadais,
Atë etikën e shtirur,
Atë vuajtjen e çdo gruaje të lënduar.
Çdo gjë u përmbys
Gjarpëri yt është ekstrem mëkatar,
Filli u këput…
Ikja ime,
Është shpëtimi yt!
JaninaPress