Agim Xhigoli kujton të madhin Skënderbe

555 VJET
GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU

Sot mbushen plot 555 vjet nga shkuarja në amshim e Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti, Skënderbeu për te cilin shoku Enver Hoxha pati kujdes veçantë

Ai ishte shqiptari që udhëhoqi përpjekjen më të madhe dhe më të lavdishme në historinë e shqiptarëve; strategu që sfidoi me sukses fuqinë më të madhe ushtarake të kohës; heroi i rrallë që nuk u thye kurrë përballë hordhive osmane në një periudhë kur ato skllavëruan perandori, shtete dhe popuj të shumtë.

Skënderbeu i dha vlerë dhe kuptim emrit të arbërve (shqiptarëve), duke u bërë thelbi i padiskutueshëm i identitetit tonë kombëtar.

555 vjet nuk kanë arritur të zbehin sadopak shkëlqimin e këtij heroi të madh europian, ndërkohë që pasardhësit e tij vijojnë të mbeten përherë deficitarë në kuptimin dhe jetësimin e mesazheve të mëdha të veprës së Kastriotit, nëse përjashtojmë këtu arbëreshët e Italisë, të cilët e kanë ruajtur në një nivel pothuajse mitik besën e vjetër.

Do të na duhet që shumë më tepër nga sheshet tona, rrugët, shkollat dhe shumë objekte të tjera publike të mbajnë emrin e madh të Skënderbeut, siç ndodh pothuajse në të gjitha ngujimet arbëreshe në Itali.

Këtë duhet ta bëjmë jo për hir të Skënderbeut, por për hir të fëmijëve tanë, për hir të identitetit tonë. Skënderbeu është një ndër kolonat themelore të identitetit dhe të kohezionit tonë kombëtar, një program i përjetshëm dinjiteti.