Opinion nga Kryeministri Albin Kurti
Në nderim të Ditës së Paqes, sot ishim në Bllacë të Hanit të Elezit. Vizituam vendin ku qindra mijëra shqiptarë qëndruan nëpër tenda, pas dëbimit të dhunshëm nga shtëpitë e tyre në Kosovë.
Jo larg vendit ku ishim sot, në territorin e Maqedonisë, në kufi me Kosovën, në vitin 1999 Qeveria e Izraelit pati ngritur një nga spitalet më të mëdhenjë fushorë ushtarakë të saj. Ky spital në ndihmë të të dëbuarve, kishte qenë ndër ndihmat e para të tilla të mëdha, që ishin pasuar me ndihmë nga shumë shtete të tjera mike. Raportohet se në këtë spital punohej katërmbëdhjetë orë në ditë dhe secili prej tetë reparteve, nga obstetria e deri tek ai i traumave, shëronte e kujdesej përditë për rreth dyqind shqiptarë.
Ministri i Shëndetësisë, Yehoshua Matza kishte deklaruar se ngjarjet në Kosovë ishin veçanërisht shqetësuese për hebrenjtë, si një popull që kishte vuajtur Holokaustin.
Më 7 prill 1999, Kryeministri Netanyahu kishte njoftuar se do të priteshin refugjatë nga Kosova, duke shpjeguar se Izraeli ndjehej i detyruar për të ndërmarrë këtë masë, për shkak të kujtesës së Holokaustit. Më 12 prill në Tel Aviv kishte mbërritur grupi i parë prej 104 refugjatësh nga Kosova, të cilët në aeroportin “Ben Gurion” i kishte pritur edhe Kryeministri Netanyahu.
Krahas përkujtimit të sakrificës e dhimbjes së popullit tonë për liri e paqe, nuk harrojmë ndihmën dhe përkrahjen nga vendet mike e aleate. Kujtojmë edhe tmerrin e përjetuar nga hebrenjtë gjatë holokaustit, me dëshirën që ngjarje të tilla tragjike të mos përjetohen nga asnjë popull tjetër.
Por fatkeqësisht, në Ukrainë po ndodhin tmerre të njëjta, siç kanë ndodhur edhe në Kosovë. Populli ukrainas është sulmuar padrejtësisht dhe barbarisht nga Rusia.
Sot e gjithmonë, solidarizohemi me viktimën dhe dënojmë agresorin.
Kujtojmë e përkujtojmë të kaluarën, që të mendojmë më shumë e më mirë për të ardhmen.
I jam mirënjohës diplomatit Dashnor Dervishi që ka dokumentuar pjesë të historisë sonë të përbashkët në librin e tij “50 vjet marrëdhënie me jashtë”, nga ku është marrë dhe kjo fotografi e publikuar në gazetën “Ha’aretz”.