Deputeti VV Fatmir Humolli kujton 24 Marsin 1998/1999
Lavdi betejës së Gllogjanit me 24 Mars 1998!
24 Marsi është ditë përkujtimi i një beteje të suksesshme të luftës sonë për çlirimin Kombëtar, e cila është vazhdimësi e punës dhe rezultat i luftës të disa gjeneratave kundër pushtuesit.
Suksesi i luftës sonë nuk do të vinte pa punën e veprimtarëve që sollën 68-tën, pa guximin dhe qëndresën e veprimtarve të ilegales politike, pa gjeneratën që solli pranverën e 81-shit, pa fuqinë e rinisë sonë të organizuar që e turpëruan policinë dhe ushtrinë Jugosllave.
Suksesi i kësaj beteje lidhet me shpiritin luftarak të minatorëve dhe punëtorve të cilët në 89-tën dhe në fillim të 90-tave e mundën politikisht gjithë mekanizmin e pushtuesit Serbo-Jugosllav, lidhet me punën dhe luftën e veprimtarëve të ilegales së viteve të 90-ta.
Kjo betejë ishte një pasqyrë e përgatitjes së Luanit e Adrianit, e organizimit të Zahirit e Ilirit, Bahriut e Agronit.
Beteja e Hasan Ramadanit në Llap në shtëpinë e vet kundër forcave Serbe, Beteja e Adem Jasharit në Drenicë dhe sakrifica e vetëdijshme e tyre i treguan popullit se mbrojtja e familjes dhe shtëpisë, arrihet vetëm duke e çliruar Kosovën nga pushtusi Serb.
Më 24 mars, Serbia provoi ta thyej dhe shkatërroj UÇK-ën në Gllogjan, por kësaj nuk ia arriti sepse kishte përballë luftarët-popull dhe popullin-luftarë që dolën fitimtarë mbi policinë serbe, duke bindur kështu edhe skeptikët më të mëdhenjë se sa e dobët ishte Serbia përballë forcës ushtarake të popullit të organizuar.
UÇK-ja doli fitimtare edhe përballë diplomacisë ndërkombëtare proserbe të cilën e bindi se nuk ka kthim prapa, veç çlirimit të Kosovës. Këtë e vulosi UÇK-ja dhe gjaku i dëshmorve në Gllogjan.
Si rezultat i betejave të suksesshme populli ynë fuqizoi aleancën me botën përparimtare, kurse Serbia humbi ushtarakisht, politikisht dhe humbi aleatët e vet në botë.
Kujtimi i kësaj dite na bënë që ne të jemi krenarë me të kaluarën tonë dhe na ndihmon që të orientohemi drejt në punë dhe jetën e sotme. Lufta e UÇK-ës është pasuri kombëtare, e këto vlera duhet ti mbrojmë përmes punës së përditshme të institucioneve tona, përmes punës në familjet tona.
Rritjen dhe fuqizimin e këtyre vlerave e kemi për obligim të gjithë me punën dhe jetën e përditshme, sepse vetëm kjo garanton lirinë dhe përparimin e gjithanshëm.
Lavdia u takon vetëm dëshmorve, obligimet të gjallëve.