Kosova po zbrazet -Vështrim sociologjik nga Mr.Florent Selca
KOSOVA PO ZBRAZET
( Analizë sociologjike )
Dua të flas në cilësinë e sociologut kësaj radhe.
Entuziazmi i lirisë së fituar ishte i jashtëzakonshëm, saqë për vite të tëra i prinim listës si populli më optimist në botë. Një vrull dhe vullnet i paparë. Njerëzit rindërtuan shtëpitë, hapën horizonte të reja për një jetë më të mirë. Pothuajse të gjithë kishin diçka për të bërë, sepse nuk ia përtonin punës tani që ishim në liri.
Kaluan vitet, besa edhe dekadat, e mundësitë vetanake pothuajse u venitën.
Shkollat po zbrazen nga nxënësit, universitetet po braktisen nga studentët.
Po shtohen shtëpitë e reja e po braktisen katundet dhe qytetet.
U stërngarkua tregu me të diplomuar, u rrit numri i të papunëve.
Fakultetet tona u konvertuan në fabrika që po prodhojnë diploma, ndërsa fabrika që do duhej të prodhonte produkte jetësore, nuk u hap kurrë.
Biznesmen të mëdhenj e të vegjël, po mundohen t’ia pinë gjakun punëtorit me pagën 300 euro në muaj me gjashtë apo shtatë ditë pune në javë.
Shteti rrin e bën sehirë. Madje edhe punëtorët në sektorin publik, kanë ngecur në opiumin e dembelisë që paguhet sa për mbijetesë.
Një përgjumje kolektive, që po na drejton drejt humbjeve të mëdha.
Mungesa e një alternative për jetë dinjitoze, po e zbraz Kosovën me migrimin që po rrjedhë si lum çdo ditë e më shumë.
Plakja e popullsisë po ecën me hapa gjigant. Shtuar këtu migrimin e popullsisë dhe dëshirën e mbi 70 % të rinisë 18 deri 25 vjeç që synon largimin nga vendi, shtojnë ankthin se Kosova po shpopullohet shumë shpejt.
Siç po rrjedhin gjërat, këtu do lulëzoi së shpejti tregu i shtëpive të të moshuarve, sepse kjo kategori po projektohet si e ardhmja e vendit.
Rrugët e fshatrave, ka vite që janë braktisë, tanimë fantazma e vetmisë është katapultuar këmbë kryq edhe në qytetet tona.
Dëgjon lajme se firmat ndërtimtare kërkojnë punëtorë, se kompanitë e ndryshme ankohen që s’po gjejnë punëtorë. Ku të gjejmë ndonjë të mjerë që punon 50 orë në javë, me orën 1.5 euro? A e dinë këta njerëz se bota është zvogëluar nga teknologjia dhe se disa vende e kanë reduktuar punën javore nga pesë në katër ditë, me orën e punës që baraspeshohet me një ditë pune këtu tek ne.
BOLL MO, se e zbrazët këtë vend.
E fituam betejën për liri, po e humbasim luftën për ekzistencë.
Unë po shkruaj në facebook si sociolog, po mundohem të jap më të mirën si mësues, por nuk po gjej forcë t’a ndërroj rrjedhën e lumit që po na tret në ujërat e rrëmbyeshëm, aty ku gjithçka gjen, veç atdheun jo.
Florent Selca