Gjon Bruçi dhe PKSH kujtojnë të madhin Vasil Shanto

1944 – 1 SHKURT – 2022
78 VJETORI I RËNIES SË HEROIT TË POPULLIT
VASIL SHANTO

FJALA PËRSHËNDETËSE NË EMËR TË PKSH
NË CEREMONINË E ORGANIZUAR NË VRAKË TË MALËSISË SË
MADHE, ME RASTIN E 78 VJETORIT E RËNIES SË HEROIT TË POPULLIT VASIL SHANTO.

Të nderuar pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve dhe Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut.
Të nderuar qytetarë të Malësisë së madhe e të Shkodrës!

78 vjet kanë kaluar nga dita e rënies, por Vasil Shanto, ishte dhe mbetet emblema e Komunistit të zjarrtë, emblema e përkushtimit dhe e vetmohimit për Lirinë, Pavarësinë dhe Begatinë e Atdheut.

Kur flasim për Vasil Shanton, ne kemi folur për njërin nga Heronjtë më të mëdhenj të rezistencës së orëve të para kundër pushtimit fashist; njërin nga organizatorët e parë të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare; njërin nga Themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare; dhe të parin komisar të së parës Çetë Partizane në Europë, i Çetës Partizane të Pezës Heroike.

Vasil Shanto ishte përfaqësuesi më i spikatur i klasës punëtore, por njëherësh njihte dhe zotëronte teorinë revolucionare komuniste, dhe ishte luftëtar i sprovuar i saj. Ai ishte luftëtar i aksionit dhe veprës revolucionare.

Vetëm në 31 vjet jetë, ku më tepër se gjysma janë vite adoleshente, Vasil Shanto arriti të bënte Epokë.
Ai ishte:
-Mjeshtër në Artin e organizimit dhe drejtimit të Partisë,
-Mjeshtër në Artin e lidhjes me popullin,
-Mjeshtër në Artin e organizimit dhe drejtimit ushtarak,
-Mjeshtër dhe artist i rrallë në Artin e luftës guerile,
-Mjeshtër në Artin e gjetjes së gjuhës, edhe me ata që mendohen se s’mund të gjendet.

Udhëheqësi i Partisë Komuniste dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane Nacionalçlirimtare të Popullit shqiptar, Enver Hoxha, duke i çmuar këto cilësi të veçanta të Vasil Shantos, në kujtimet e tij do të shkruante:

“Vasil Shanto ishte atje ku e lypte detyra, në vendet më të rrezikshme, në betejat më të ashpra në misionet më deliate”!

Ishte kjo arsyeja, që KQ i PKSH, e dëgoi Vasil Shanton në Qarkun e Shkodrës, për organizimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në këtë Qark me probleme specifike, detyrë që ai e realizoi me sukses.

Të nderuar pjesëmarrës!
Sot, pas 78 vite nga dita e rënies së militantit komunist Vasil Shanto, vendi ynë gjendet në një situatë krize të gjithanshme politike, morale e social-ekonomike, e cila vijon prej tri dekadash të instalimit me dhunë e tradhëti të sistemit borgjez. Faktikisht vendi ynë e ka humbur lirinë, dhe pavarësinë e vërtetë, për të cilat u sakrifikua Heroi ynë dhe shokët e tij, Dëshmorë të Atdheut. Kjo ndodhi edhe për faj të ne, brezit të paluftës, që pas ndarjes nga jeta të Udhëheqësit të paharruar, shqiptarit të madh Enver Hoxha, e humbëm vigjilencën ndaj planeve djallëzore të armiqve të jashtëm e të brendshëm të Shqipërisë Socialiste.

Në ditët e sotme, në vendin tonë, për fat të keq janë përmbysur vlerat dhe lartuar antivlerat. Armiqtë e përhershëm të Shqipërisë, në bashkëpunim me mercenarët vendas, i janë sulur për t’i zhbërë dy Epokat më të lavdishme të popullit tonë, Epokës së LANÇ dhe të Ndërtimit Socialist.

Dëshmia më e fundit e kësaj tentative për zhbërje, është edhe vendosja në qendër të Tiranës e “Mbretëreshës” Gjeraldinë, bashkëshortes së satrapit, ikanakut dhe tradhëtarit Ahmet Zogu.

Pashallarët tanë të sotëm “modernë”, që drejtojnë vendin dhe jetën tonë, janë kthyer si pashallarët e dikurshëm të kohës së pushtimit osman. Me veprën e tyre antipopullore e antikombëtare, ata na kanë futur në një tunel të errët.

Po, sa i gjatë është ky tunel errësire, ku na kanë futur antishqiptarët dhe mercenarët e tyre?

Përgjigjen e kësaj pyetje e kemi tek poezia luftarake “Anës lumejve” e demokratit të madh Fan Noli:

“Dhe një zë vëgon nga lumi / Më buçet më zgjon nga gjumi / Se mileti po gatitet / Se tirani lebetitet / Se pëlcet, kërcet furtuna / Fryhet Vjosa, derdhet Buna / Skuqet Semani dhe Drini / Dridhet beu dhe zëngjini / Se pas vdekjes ndriti jeta / Dhe kudo gjëmon trompeta / Ngrehuni dhe bjeruni / Korrini dhe shtypini / Katundarë e punëtorë / Që nga Shkodra gjer në vlorë!”

Thirrja e Nolit nuk është vjetëruar. Populli ynë do ta gjejë rrugën e daljes nga tuneli i errësirës. Dhe kur të dali, do të dijë ta marrë shpagën për fatkeqësitë që i shkatuan pashallarët “modernë” dhe mercenarët e të huajve.
Sado vonë të shkojë, kjo do të ndodhë!

Lavdi LANÇ dhe Dëshmorëve të saj!
Lavdi Heroit të Popullit Vasil Shanto!

Vrakë, 1 shkurt 2022 Gjon Bruçi

Leave a Reply