Vendim i Kryeministrit Rama
Vendimi i Këshillit të Ministrave/Gledis Nano emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Fjala ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, pas mbledhjes së qeverisë:
Sot qeveria mori vendim për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë z. Ardi Veliu dhe emërimin në këtë detyrë të z. Gledis Nano. Z. Veliu largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta, duke e çuar në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite performancën e Policisë së Shtetit, e këtë falë përkushtimit maksimal, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së jashtëzakonshme që ka demostruar z. Veliu në këto 4 vite në drejtimin e Policisë së Shtetit.Besoj se të gjithë treguesit e sektorit të Policisë flasin për një rritje edhe një standard të krijuar tashmë të performancës të Policisë së Shtetit në nivele maksimale. Sigurisht në detyrë z. Nano, që e zëvendëson, i cili edhe ai është një oficer karriere dhe së fundmi ka shërbyer për një kohë të gjatë, si Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, padiskutim që ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit në këto vite. Ju faleminderit dhe në qoftë se ka ndonjë pyetje.
Pyetje: Z. Ministër ju thatë që treguesit, thuajse të gjithë treguesit e policisë në këto katër vite janë përmirësuar, por Kryeministri nuk mendon kështu kur ju la 100 ditë kohë strukturave policore për t’u reformuar. A mund të na rendisni teksa ky afat është duke përfunduar çfarë reformash keni bërë apo reforma e vetme është ‘fikja e kandilit’ të z. Veliu? Faleminderit.
Ministri Çuçi: Besoj se në radhë të parë keni keqkuptuar atë pjesën e ‘kandilit’, sepse ato janë situata që krijohen në një dinamikë komunikimi me opozitën në komisionet parlamentare, megjithatë atë t’ia lëmë atij momenti.
Thashë, unë kam vlerësim maksimal për z. Veliu, e ju thashë që në të gjithë sektorët duke filluar nga numri i vrasjeve është përgjysmuar nga 2013, apo Operacioni ‘Forca e Ligjit’ që ka çuar në pranga 78 anëtarë të krimit të organizuar, apo ka sekuestruar 200 milion euro vetëm në këto vite, apo perfomanca dhe besueshmëria që është rritur ndaj institucionit të Policisë së Shtetit, që ka qenë në nivelin 35 % në 2013 dhe sot është në nivelet e 65 %, e bërë kjo nga sondazhe të pavarura, sigurisht të financuara nga organizatat ndërkombëtare e në rastin konkret ka qenë Suedia, e bërë me të njëjtën metodologji. Pra, janë të gjithë treguesit që flasin, se kemi arritur një standard të caktuar.
Për 100 ditëshin padiskutim më lejo sepse më pyetët se kush janë treguesit, do ketë 100 ditë, do ketë 300 ditë dhe gjithmonë vendosim objektiva, gjithmonë synojmë për më mirë, gjithmonë synojmë që ta përmirësojmë Policinë e Shtetit. E vetmja konstante e jona është ndryshimi. Prandaj në këto momente sjellim një energji të re me synimin që të realizojmë edhe objektivat apo të gjithë angazhimet, që kemi marrë ne në mandatin e tretë të qeverisjes së Shqipërisë.