Opinion nga Komandant Remi

UNITETI I SHENJTË

Shpesh herë, qoftë mbështetësit e luftës së popullit shqiptar për ta mbrojtur Kosovën nga oreksi i pangopshëm serb dhe të sllavëve të tjerë për territore, qoftë ata që punojnë ditë e natë për ta kontestuar të drejtën legjitime të një populli për liri e shtrojnë një dilemë identike: si arritën shqiptarët për një kohë shumë të shkurtë ta nxjerrin Kosovën nga kontrolli, sa represiv po aq demagogjik serb?!

Kjo dilemë bëhet edhe më e arsyeshme nëse merren parasysh çështjet e ngjashme, si bie fjala ajo kurde, palestineze, baske, irlandeze… që kanë hyrë në spiralen e së keqes dhe shumë vështirë do të dalin nga aty. Këto pyetje e parashtrojnë edhe shqiptarët, pa marrë parasysh çfarë orientimi politik, krahinor ose fetar kanë.

Kjo dilemë merr përmasa të mistershme nëse kihet parasysh se në krah të Kosovës u rreshtuan 23 shtete më demokratike të botës, po thuaj se të gjitha me tradita të krishtera, pos Turqisë. Do të ishte e pa mundshme, absurde që këto shtete ta përkrahin një kauze të padrejtë.

Ekzistojnë natyrisht edhe dilema të tjera anësore që shpesh herë e komplikojnë edhe më shumë të vërtetën shkencore për çështjet historike, etnike, religjioze, ekonomike etj. Pra, cilët ishin ato faktorë që të pritet nyja e Gordit, me të cilën Serbia e kishte lidhur këmbë e duar Kosovën?

Çdo luftë nis pas dështimit të mjeteve politike dhe diplomatike për harmonizim të interesave. Ky dështim duhet të vlerësohet jo vetëm me kritere politike apo interesa etnike, por edhe me parime etike (morale) që janë të trupëzuar në konventat ndërkombëtare. Pikërisht në këtë segment konfliktet e armatosura ose luftërat vlerësohen si të drejta apo të padrejta.

Lufta për Kosovën kishte qartësi absolute etike: shqiptarët luftonin për liri, ndërkaq serbët synonin me argumente, tashmë të thjeshtëzuara dhe anakronike të pengojnë çlirimin e saj. Këtë betejë rreth motivit të luftës e fituan shqiptarët ngaqë rezistuan me dekada. Rezistenca e popullit të Kosovës prej fillimit ishte e drejtë që kur ajo iu bashkëngjit padrejtësisht Jugosllavisë londineze dhe deri në fund kur ajo u shkëput nga sundimi i egër serb.

Ky proces nuk ndodhi brenda natës, por u zhvillua prej ditëve të para kur Kosova u aneksua nga ana e Jugosllavisë apo Serbisë.
Arsyeja e dytë që e bindi faktorin ndërkombëtar që të ndërhyjë kundër ushtrisë së bashibozukëve (paramilitarëve) serbë ishte vlerësimi se UÇK-ja luftonte vetëm në kuadër të kufijve të Kosovës duke përdorur armë konvencionale në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Të gjitha përpjekjet e propagandës serbe për ta kategorizuar kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës si terrorizëm ranë në ujë ngaqë luftohej kundër ushtrisë jugosllave e cila nuk i respektonte konventat ndërkombëtare. Të gjithë, pos serbëve e dinin se ushtria jugosllave rrinte në kazerma ndërkaq masakrën e kryente ushtria në hije, ajo e paramilitarëve që ishin të formuara nga vetë udhëheqësia politike.

Pra, shqiptarët zhvilluan moralisht dhe legalisht luftë të drejtë, ngaqë respektuan kufijtë e Kosovës si dhe konventat tjera ndërkombëtare që e ndalojnë veprimet ushtarake kundër qytetarëve të thjeshtë. Pra, sistemi ushtarak i degjeneruar serb i sulmonte qytetarët në emër të qëllimit që të pastrohet etnikisht një territor, ashtu si patën vepruar në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në Kosovë u zhvillua beteja e fundit ndërmjet faktorëve që synonin ta ruajnë të vjetrën dhe të parandalojnë të renë, demokratizimin e shoqërive. Shqiptarët treguan një unitet absolut në gjithë spektrin politik lidhur me përcaktimin për konceptin liberal demokratik. Ky përcaktim edhe në kushte më të rënda të okupacionit nuk u la pas dore.

Përderisa në Serbi trashej miqësia ndërmjet klerit ortodoks the klasës politike, në radhët e popullatës shqiptare thellohej koncepti shekullar i shtetit.

Në mjediset serbe për shkak të dilemave të mëdha etike lidhur me harmonizimin e sistemit të vlerave të krishtera me ato politike serbe u arrit një marrëveshje klero-nacionaliste: moralitetin e luftës sërbe do ta argumentojnë klerikët ortodoks të cilët, duke i braktisur parimet të krishtera lejonin dhe frymëzonin luftën kundër të tjerëve.

Pas hyjnizimit të qëllimeve banale nacionaliste, politikanët serb, si fëmijë frikësuar e zbatonin atë që të gjithë e shihnin: pastrimin etnik në emër të zotit. Derisa politika serbe klerikalizohej, ajo shqiptare shekullarizohej. Këtë abuzim me religjionin, faktori ndërkombëtar e shihte me qartësi laboratorike, ashtu si politikën absolutisht laike të shqiptarëve.

Devijimi nga kursi normal i zhvillimit të një shoqërie ishte shumëdimensional. Serbët hoqën dorë nga respektimi i konventave ndërkombëtare për luftën si dhe nga parimi i ndarjes së religjionit nga interesat politike. Sot e kësaj dite politikanët serb kërkojnë bekimin e klerit i cili në emër të zotit jo vetëm që miratonin, por edhe nxitnin luftën.

Politika serbe nuk vëren se në shtetet perëndimore asnjë koniunkturë politike nuk kërkon leje ose bekimin e kishës për arritjen e suksesit në planin ushtarak ose në plane tjera.
Kauza shqiptare në Kosovë nuk është çështje ideologjike, por morale dhe jetësore që dallohet në të gjitha parametrat me teorinë dhe praktikën serbe.

Sot serbët rrahin gjoks se janë besimtarë të devotshëm. Ky besim tek ata është produkt i politikës. Serbët janë ndër popujt e rrallë të botës që kanë një arsenal origjinal për sharjen e zotit. Këto sharje tashmë janë bërë të natyrshme saqë nuk interpretohen si fyerje.

Faktori ndërkombëtar, në një fazë të zhvillimit të kontestit shqiptaro-serb e mbështeti kaluarin kosovar për shkak se lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte e drejt, e zhvilluar gjatë kohë, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, ishte luftë për liri, për vlera demokratike dhe standarde që respektojnë të drejtat e njeriut.

Sot në Kosovë, si askund në botë të gjitha bisedimet për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut përfundojnë, jo vetëm pozitivisht, por edhe brenda një afati rekord.

Kauza e drejtë shqiptare në Kosovë u vlerësua si e tillë nga faktori ndërkombëtar, jo vetëm për shkak të gabimeve morale, politike, strategjike serbe, por edhe për shkak se shqiptarët nuk bënë gabime strategjike.

Politika shqiptare mbeti në shtratin e sistemit të vlerave perëndimore, të demokracisë, pluralizmit, tolerancës së identiteteve të kulturave dhe bindjeve fetare. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë plan dhënë pjesëtarët krishterë, katolikët dhe ortodoksët shqiptarë, klerikët, politikanët, intelektualët, ushtarakët, krijuesit.

Sa më shumë që propaganda serbe, në sinkroni me atë greke përpiqej ta përçajë kombin mbi linjat fetarë, aq më shumë ngjeshej uniteti kombëtar.

Falë propagandës histerike serbo-greke, faktori ndërkombëtar organizonte në vazhdimësi monitorimin e këtyre pohimeve të sajuara dhe konstatoi se në këtë plan Kosova dhe populli shqiptar është shembull unik në botë.

Toleranca ndërfetare është vlera unike kulturore dhe qytetëruese e shqiptarëve. Pa të kauza shqiptare do të venitej, me të bashkë edhe identiteti shqiptar.

Kjo harmoni, kjo tolerancë është vlera, por njëkohësisht edhe thembra e Akilit e shoqërive shqiptare. Ai që do të politizojë këtë vlerë do të bëjë dame të riparueshme…

Botuar në Gazetat ditore në mediat e shkruara dhe ato elektronike.

Leave a Reply