Mësuesit e Pandemisë-opinion nga mr.Florent Selca

MËSUESIT E PANDEMISË

Virusi depërtoi brenda dyerve të shkollave, e nuk mund të shpëtonin prej tij edhe mësuesit. Covidi ndali pa mëshirë edhe rrugëtimin e disa prej mësuesve të pandemisë.
Armiku misterioz, hyri pa trokitur në secilën shtëpi, klasë apo institucion tjetër.
“Mësues mbylle derën”-më thoshtë një fëmijë. Ai si një engjull me mendje të brishtë, po mendonte se virusit mund t’i mbyllej dera.
Ne së bashku i mbyllëm dyert e i hapëm zemrat, ngritëm kokën lart dhe vazhduam punën për ndriçimin e mendjeve tona.
Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë – thoshte dikur Konfuçi.
Një mësues i mirë është si një qiri: Ai konsumon vetveten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve.”- thoshte populli dikur.
Mësuesi, duhet gjithmonë të jetë fanar që lufton errësirën dhe të tillë ishin dhe janë “armata” e iluministëve-mësimdhënësve tanë.
Padituria është atakuesja e shoqërisë, kurse arma që çrrënjosë këtë sindrom mbetet dituria dhe përkushtimi i mësuesit.

Isha nxënës në kohën e okupimit. Me admirim i shikoja mësuesit se si orvateshin në kushte të një errësire totale, të na ndriçonin sado pak me dritën e diturisë.
Ashtu të lodhur nga skamja dhe mungesa e lirisë, na frymëzonin me ndjenjat e atdhe – dashurisë. Na ledhatonin flokët dhe na kqyrnin në kokërdhok të syrit, duke na rrëfyer se sa afër është liria.
Ishte kjo lufta e parë që ne si nxënës dhe ata si mësimdhënës e kaluam me sukses.
Jeta ka plot sfida, e sfidat shoqërohen me beteja të cilat duhen të kalohen me sukses në mënyrë që të fitohet lufta.
Një individ me shëndet të dobët e kuron mjeku, ndërsa një shoqëri të sëmurë e shëron vetëm edukimi dhe arsimimi.
I citova këto kujtime sepse po më asocojnë me këtë gjendjen aktuale.

Pandemia na izoloi të gjithëve, por mësuesit hynë në shtëpitë tona përmes tv dhe ekranëve të vogla të laptopit apo celularit. Virusi nuk mund ta frenonte angazhimin tonë.
Vendit i duhej ringjallja dhe prapë mësuesit në ballë të luftës. Me maska, distancë, dezinfektues dhe matës të temperaturës, ne nuk e lëshuam ditarin nga dora.
Ne nuk kishim mjete dhe as përgaditje profesionale të mbroheshim siç duhet nga infeksioni, plus kur t’i shtohet këtu gjendja aspak e mirë në objektet shkollore, e bënë punën tonë sa sublime, aq edhe heroike.
U infektuan me mijëra dhe poashtu kishte edhe humbje jete, por ne kishim fatin të jemi mësuesit e pandemisë.
Shoqëria ka kohë që është distancuar nga puna jonë. Ndoshta edhe ne vet i kemi fajet që nuk ditëm t’ju edukonim sa dhe si duhet. Ndoshta koha e okupimit serb, na kishte detyruar t’ua falnim disa nota, me shpresën se një ditë do të përmirësoheni. Harruam se ju do përfitoni nga zemërgjersia jonë dhe të ktheheni kundër nesh.
Aspak s’përtoni t’i ofendoni e t’i shani ata që aq shumë bënë për ju.
Sa të injorohet arsimi do vazhdojmë të kemi një shoqëri mediokre, ku dominojnë politikat e hajnisë, mashtrimit dhe rrugëve të asfaltuara pa kriter, por me tender.

Florent Selca.

Leave a Reply