Agim Hyseni intelektual e atdhetar i spikatur
Të dashur miq,
Për mua është hera e parë që kandidoj për t’u bërë deputet, dëshira për të ndryshuar gjendjen e rëndë socio-ekonomike të popullit tonë të stërvuajtur, ku paga mujore është minimale dhe nuk mjafton për të krijuar familje, kur nuk ka punësim, siguri në punë dhe mjekësi dinjitoze, kur degradohen vlerat kombëtare dhe sistemi arsimor është e nevojshme qe të jemi gati për ndryshime në të mirën tonë për brezat e ardhshëm.
Garës zgjedhore për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës i kam hyrë për shkak të dy arsyeve themelore:
→ Së pari, Kuvendi i Kosovës në këtë kohë sfidash nuk mundet të mbetet pa zëra të fuqishëm që mbrojnë kauzën tonë kombëtare, kauzë për të cilën kemi sakrifikuar shumë dhe e cila mua më bënë krenar si shqiptar i një kombi me vlera të larta njerëzore dhe historike dhe që nuk dua ta shoh të nëpërkëmbur.
→ Së dyti, kauza atdhetare është çelsi i vetëm i mundësive qe i duhen shoqërisë sonë dhe veçanërisht të rinjëve tanë, për çka shpresoj dhe jam i bindur se do të jap kontribut të pandalshëm dhe do t’i përfaqësoj e mbrojë të drejtat e tyre, nevojat dhe në kuvend dhe institucione tjera.
Këto kauza kanë adresë: Nismën Socialdemokrate për Kosovën, aty ku është Nisma është edhe UÇK-ja dhe zërat që japin kontributin për të ardhmen e kombit tonë.
Programi politik-kombëtar i Nismës Socialdemokrate:
Lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës dhe ndihma ndërkombëtare për t’i dhënë fund regjimit diktatorial të Millosheviqit krijuan një kontekst të ri historik në këtë pjesë të Europës. Demokracia si vlerë mbeti jashtë dyerve të partive politike dhe për pasojë edhe jashtë jetës institucionale! Logjika despotike që karakterizoi themelimin dhe konsolidimin e shumicës së partive politike në Kosovë dhe sidomos privilegjet individuale apo grupore që krijon forma e tillë e funksionimit, shpjegon edhe mungesën e vullnetit politik për të organizuar zgjedhje të lira në përputhje me normat dhe standardet e demokracive perëndimore.
Nisma për Kosovën do të sigurojë të gjitha kushtet politike dhe materiale për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në tërë vendin. Sigurimi i mjeteve dhe teknikave më të sofistikuara për transparencën elektorale janë kushte të domosdoshme për të garantuar se çdo votë e qytetarit do t’i shkojë përfaqësuesit të zgjedhur nga ai.
Krahas kësaj, ne do të mbështesim të gjitha masat tjera për të pamundësuar vjedhjen e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës.
Mënyra e funksionimit autoritar në radhët e partive politike, e cila u bart në institucionet e shtetit u shndërrua në pengesë kryesore për ndërtimin e Kosovës si shtet i së drejtës. Autoritarizmi, despotizmi, tirania dhe të gjitha mënyrat jodemokratike të funksionimit e ngulfatën aspiratën për funksionimin e shtetit mbi parimin e së drejtës. Privilegjet individuale dhe grupore që krijoi kjo formë e drejtimit të partisë dhe shtetit solli situatën më paradoksale që dikush ka mundur ta imagjinojë pesëmbëdhjetë vite më parë.
Në vend të krijimit të kushteve për kthimin e të gjithë atyre që ishin dëbuar nga Kosova, varfëria e skajshme e popullit ka krijuar premisat e tilla ku edhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ndërmerr veprime të ndryshme kundërligjore për të siguruar emigrimin jashtë vendit. Kjo është pasojë e mospasjes siguri për një jetë më të dinjitetshme në Kosovë. Ne jemi të vetëdijshëm se ndalja e dukurive antikombëtare mund të realizohet vetëm përmes krijimit të kushteve ku secili do ta shohë perspektivën e vet në Kosovë. Për këtë arsye, Nisma Socialdemokrate do të angazhohet me tërë qenien e vet për të favorizuar projektet që krijojnë kushtet e tilla. Një angazhim i veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së projekteve që vijnë nga bashkatdhetarët tanë që ndodhen në emigracion, sepse realizimi i projekteve të tyre do të kishte efekte që njëkohësisht të bëhej kthimi i njerëzve që kanë fituar përvoja profesionale dhe intelektuale në shtetet e demokracive perëndimore.
Nisma Socialdemokrate do të hulumtojë dhe gjejë forma të reja të bashkëpunimit në partneritet me vendet e rajonit tonë, sidomos me shtetin shqiptar dhe shtetet fqinje ku jetojnë shqiptarët si dhe do tëndikojë në përshpejtimin e krijimit të tregut të përbashkët kombëtar.
Për Nismën Socialdemokrate është e papranueshme që edhe 21 vite pas përfundimit të luftës më shumë se 1725 shqiptarë, viktima të luftës, ende ndodhen nëpër varreza masive në Serbi. Kthimi i eshtrave të tyre, ndriçimi i krimeve të kryera dhe sjellja e kriminelëve para drejtësisë janë prioritet në angazhimin tonë. Është po aq e papranueshme kur edhe pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, pushteti në Serbi nuk i kthen paratë e plaçkitura të Fondit Pensional të Kosovës. Ne do të angazhohemi që çështjen e pensionistëve të Kosovës dhe plaçkitjes së fondeve të tyre ta ngremë në nivel ndërkombëtar si çështje që duhet të zgjidhet urgjentisht.
Nisma do të angazhohet që Ligji për të drejtat e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë dhe Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe të familjeve të tyre të zbatohet pa asnjë neglizhencë dhe që këto kategori të realizojnë të drejtat e tyre. Për Nismën, ndërtimi i mirëfilltë i shtetit të së drejtës është bazamenti që garanton hapjen e perspektivave ekonomike në interes të mirëqenies së qytetarëve, edukimin dhe arsimimin e të gjitha niveleve shkollore në përputhje të plotë me të arriturat shkencore dhe pedagogjike të demokracive perëndimore, përkujdesje të tillë shëndetësore ku jeta dhe dinjiteti i njeriu është në qendër të vëmendjes.
Kosova ka nevojë për një arsimim cilësor që fëmijët tanë të pajisen me kulturë, vlera dhe njohuritë më të reja shkencore. E kemi për obligim që gjeneratat e reja t’i aftësojmë të jenë të përgatitura t’u bëjnë ballë sfidave të reja me të cilat do të ballafaqohen në procesin e globalizmit dhe të integrimeve. Për t’u realizuar ky qëllim, institucioneve edukative-arsimore duhet t’u garantohet liria e plotë administrative, pedagogjike dhe e menaxhimit.
Solidariteti qëndron në themelet e institucioneve euroatlantike dhe falë këtij solidariteti të demokracive perëndimore. Nisma Socialdemokrate do të kultivojë frymën e solidaritetit, duke afirmuar unitetin njerëzor jo vetëm mes gjeneratave aktuale. Ky solidaritet dhe afirmim do të shtrihen pandalshëm edhe në gjeneratat që vijnë pas nesh. Një ndër angazhimet me prioritet për Nismën Socialdemokrate do të jetë krijimi i kushteve të domosdoshme që përkujdesja shëndetësore të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, ku secilit qytetar të Kosovës t’i mundësohet kujdesi dhe trajtimi i nevojshëm dhe në kohën e duhur, sepse sëmundja dhe burokracia nuk shkojnë bashkë. Këto objektiva nuk mund të realizohen pa një angazhim të madh politik te qytetarëve, i cili do të çrrënjoste format jodemokratike të funksionimit të institucioneve tona. Për këtë arsye, thërrasim të gjithë ata që nuk pajtohen me format e deritashme të funksionimit politik e institucional të mobilizohen dhe së bashku ta ndërtojmë platformën politike të zhvillimit për të cilën sot ka nevojë Kosova.
Për të siguruar mandatin e deputetit për këto dhe shumë arsye kërkoj nga ju që të mbështetni vizionin, guximin për unitet dhe të jemi të bashkuar për një shtet me mirëqenie më të mirë, nëse ju më besoni dhe përkrahni nuk do t’ju zhgënjej por do t’ju përfaqësoj denjësisht duke qenë zëri juaj në kuvend!
Voto nr. 71!
Agim H. Hyseni
Kandidat për deputet nga Nisma Socialdemokrate