Skënder Çaçi-Hero i Popullit??✊
Skënder Çaçi – Hero i Popullit
Skënder Çaçi lindi më 18 janar 1916 në qytetin e vogël të Leskovikut, rrëzë malit të Melesinit, në familjen e Neki Çaçit (Poda) Babai i tij ishte luftëtar trim i çetës patriotike të krahinës. Në familje Skënderi thithi nektarin e atdhedashurisë. Aty që në shkollën fillore të vendlindjes këndonte me ngazëllim këngë popullore për trimat luftëtarë leskoviqarë, të pushkës e penës, si Zylyftar Poda, Jani Vreto, Muço Qulli, Thanas Sina, Haki Glina e të tjerë. Këndonte e fliste me nderim për ata atdhetarë e zemra i gufonte nga krenaria se ishte nga ai gjak luftëtarësh që nuk rreshtën së luftuari për liri.
Më 1930 kunkuroi dhe fitoi për të vazhduar mësimet në Shkollën Ushtarake në Tiranë, por ajo u mbyll dhe Skënderi vazhdoi gjimnazin në kryeqytet. Pikërisht këtu filloi pjekuria e tij politike. Shoqëria me Vasil Shanton, Asim Zenelin e të tjerë, të cilët ia qartësuan rrugën që duhej ndjekur për të përmbysur një herë e përgjithmonë regjimin obskurantist të Zogut. Sigurisht që ra në sy të autoriteteve shtetërore, ndaj filloi të shihej me dyshim. Por falë rezultateve të shkëlqyera në mësime dhe këmbënguljes së tij, më 1935 i jepet e drejta për në Kolegjin Ushtarak të Napolit e më pas në Akademinë e Torinos, ku vendosi lidhje të ngushta ideali me Qemal Stafën. Veprimtaria e tij atdhetare dhe antifashiste rritet dita-ditës në strofkën e fashizmit në Itali. Është pikërisht Skënder Çaçi organizatori dhe udhëheqësi i protestës kolektive të studentëve ushtarakë shqiptarë në Romë që u thanë gjerarkëve fashistë: “Betohem se nuk do të betohemi kurrë për skëterrën fashiste!” Ndaj në shtator 1939 internohet në Ventotene, Itali, ku për rreth dy vjet qendroi në shoqërinë e ndër të parëve antifashistë, bashkëheronjve të LANÇ, Nazmi Rushiti, Tom Kola, Emin Durakun, Xhezmi Delli etj. Lirohet nga internimi në gusht 1941, kthehet në Leskovik dhe shpejt arrin në Tiranë, ku që në fillim me shokë të shquar vihet në krye të LANÇ në krahinë, duke qenë ndër 200 komunistët e parë të Shqipërisë. Është ndër aktivistët e shquar për përgatitjen dhe zhvillimin e demonstratës masive të 28 tetorit 1941 në kryeqytet. Skënder Çaçi, tashmë i burrëruar dhe luftëtar profesionist, shok i ngushtë armësh i Qemal Stafës, Gogo Nushit, Vojo Kushit, Misto Mames etj. afirmohet si kuadër dhe organizator i shquar i LANÇ, si në luftën guerrile ashtu dhe në formacionet partizane. Ishte pjesëtar qendror ushtarak dhe mori pjesë fizikisht në aksione të guximshme e të rëndësishme, si për rrëmbimin e shtypshkronjës, arshivës në Ministrinë e Brendëshme, djegien e depove ushtarake të aviacionit, prerjen e ndërlidhjes telegrafonike, duke qenë edhe komisar i grupit që drejtonte Misto Mame. Dhe nuk ishte rastësi që tërë familja e tij ishte e përfshirë ngushtësisht në LANÇ. Tre vëllezërit dhe motrat bënin pjesë drejtëpërdrejtë në formacionet partizane. LANÇ po merrte përpjestime të gjera dhe po shtrihej në gjithë vendin. Skënder Çaçi ngarkohet me detyrën e komisarit në çetën e parë partizane të Skraparit, më pas si i dërguar i LANÇ në Kolonjë, ku zhvilloi veprimtari të dendur për forcimin e punës organizative e ushtarake si dhe këshillave nacionalçlirimtare. Në 1943 merr pjesë në luftimet për çlirimin e Leskovikut dhe e gëzon lirinë e vendlindjes me bashkëqytetarët e vetë. Kur po sosej vera e atij viti, ngarkohet me detyra organizative për krahinën e Gorë-Oparit dhe me riorganizmin dhe zgjerimin e batalionit partizan Gorë-Opar, caktohet komisar i tij, duke patur në krah komandantin e shquar Teki Kolaneci.
Më 16 tetor batalioni në bashkëveprim me formacione të tjera partizane morën urdhër të shpartallonin forcat xhandaro-zogiste që ishin pozicionuar në majat dominuese në veri-perëndim të Grybecit. Luftëtarët partizanë, me në krye komisarin sypatrembur, pasi thyen armikun në pozicionet e para, vazhduan sulmin në drejtim të Gurit të Bletës. Një mitraloz armik në lartësitë dominuese të Gurit të Qytetit, nuk pushonte së vjelluri zjarr. Komisari u hodh vetëtimthi mbi pozicionin armik, ashtu si Mic Sokoli e Selam Musai vite më parë, por goditet për vdekje dhe… Populli i këndoi: “…Gjëmon fusha, gjëmon mali/lufton Skënder kolonjari/trim zemërluani/e bëri si Zylyftari!” Dy ditë më pas, më 18 tetor 1943, populli e partizanët i dhanë lamtumirën e fundit komisarit. Atë e përcollën si përcillen trimat me batare pushkësh partizane.
Bashkëluftëtarët e tij, veteranë të LANÇ, dhe populli do të kujtojnë e nderojnë brez pas brezi figurën dhe veprën e shquar atdhetare të Heroit të Popullit Skënder Çaçi. Kush bie heroikisht për liri, mbetet përjetësisht i gjallë në kujtesën popullore. Është një shkollë 9 vjeçare në kryeqytet që mban emrin e këtj Heroi. Kohët e fundit studiuesi Ilo Manushi ka botuar një monografi shumë të mirë për jetën dhe veprën heroike të Skënder Çaçit.
Shefqet Pojani