I dashur nxënës -Opinion nga Mr.Florent Selca

I DASHUR NXËNËS

Zilja ra përsëri. Fëmijët me habi, frikë dhe pasiguri, iu drejtuan klasave. Sa padrejtësisht objektet shkollore, dukeshin si godina korrektuese. Distancë, dezinfektues, qetësi, a thua se je në ceremoni varrimi.
Aspak nuk ndjeheshe mirë, kur i shikoje vogëlushët e strukur në bankat e tyre, me sytë e hapur e duart në faqe, me gojën e kyçur nga maska, me veshët “cigare” që prisnin t’i dëgjonin fjalët e mësuesit.
I dashur nxënës, thashë aty nën zë, sa do doja t’i ledhatoja faqet e skuqura nga kurreshtja dhe habia e të të them se ky është një vit me gjemba, të cilat po na therrin mua dhe ty.
I dashur nxënës, edhe kjo pandemi që po na thermon me gjemba mua dhe ty, erdhi si pasojë e pandemisë mendore që e ka kapluar globin tonë.
Ju do jeni mjeku i trurit njerëzor në të ardhmen, nëse nuk do infektoheni gjatë rrugës me virusin e injorancës. E kuptoj se jeta e një injoranti, mund t’ju duket intriguese dhe tunduese, por mos lakmoni tiketën e bukur se brenda saj mund të ketë shije të hidhur.
I dashur nxënës, e kuptoj se ne nuk jemi një pasqyrë shumë e mirë ku ju mund ta shikoni veten tuaj, por nga pasqyrimi i thyer, kuptoni gabimet tona, dhe krijojeni një botë tjetër. Pastrojeni mendjen nga kontaminimi i kohës dhe jepni dritë e ngjyrë jetës. Mos vuani nga inati, shmangni komplekset dhe jetoni pa qëllimin e një aparence që të krijon përshtypje.
I dashur nxënës, trim mbi trimat është ai që ka kurajo të injoroi të keqen, është ai i cili ka turp nga paturpësia, është ai i cili bëhet i sertë përballë padrejtësisë.
I dashur nxënës, e di që s’ke faj, por duhet të të shoqëroj deri tek dera e koridorit, duhet të të ndaloj të dalësh nga objekti shkollor deri në fundin e orës së fundit.
Sillesha në klasë, duke u munduar të përcjellë tek fëmijët mesazhe shprese dhe edukimi dhe më dukej vetja si një robot ku klasa i ngjante një laboratori, ku lëvizjet ishin tejmase të kufizuara.
I dashur nxënës, dielli nuk do perëndoj, ai veq sa ka lind, rrezet e tij do ngrohin zemrat tona të mbushura plot hare e buzëqeshja jote do depërtoj përtej errësirës duke ndriçuar mendjet tona.
Bota po thahet nga shkretëtira e kokave tona që po mbjellin veç terror, lakmi e urrejtje.
Mësohu ta duash veten por mos ta mbivlerësosh atë, mësohu të punosh e të fitosh me mundin tënd, mëso të fitosh e jo të të falin, mëso dhe beso.

Leave a Reply