Një Biografi për Heroin Qerim Kelmendi
Lavdi e përjetshme!
Ai ishte Hero i Kosovës!
Është Hero i Kosovës!
Do të jetë përjetësisht Hero i Kosovës-Shqipërisë.
Qerim Kelmrendi – Shpirtmadhi
(Shënime biografike)
Lindi, më 21 dhjetor 1966 (binjak me motrën Lushe), në fshatin Llabjan të Pejës.
Prindërit e tij, i ati, Haxhiu (i njohur në popullatë me emrin Haxhë) dhe e ëma, Nuria (emri i vajzërisë, Noke Iberdemaj) e kishin fëmijën e 11-të (përkatësisht të 8-in nga e ëma).
Qe i martuar me Arjetën dhe lindën një vajzë.
Qerimi erdhi në këtë botë në kohë të keqe, jo vetëm se qe dimër, por edhe sepse gjatë verës pararendëse Familja e madhe e Vuthjanëve, – siç i quanin bashkëfshatarët, me 65 anëtarë, qe ndarë në tri pjesë. Prindërit e Qerimit i goditi varfëri e rëndë, meqë nuk kishin asnjë të punësuar me rrogë shteti, siç thuhej atëherë, dhe bujqësia nuk ofronte rrojtje të dinjitetshme.
Arratisja jashtë vendit e Vëllait, Ibrahimit, në vitin 1976 Qerimit 10-vjeçar i krijoi vuajtje krenare, siç e definonte ai, përkatësisht politizim të parakohshëm. Kësaj do shtuar edhe survejimet e përndjekjet e shtuara të policisë, ngaqë në raste të tilla praktikohej persekutim familjar.
Demonstratat e Pranverës 1981 Qerimi 14-vjeçar i përjetoi si kënaqësi euforike, – siç e thoshte, ndaj u angazhua të bënte atë që dinte e mundte pa u trembur. Bashkë me disa shokë të tij, më 2 e 3 prill 1981, gëlqerosin edhe rrugën Pejë-Prishtinë (buzë fshatit të lindjes) me parollën Kosova-Republikë. Më 4 prill demonstrojnë për Kosovën-Republikë rreth 100 nxënës të shkollën 8-vjeçare në Gllaviqicë, ku Qerimi ishte nxënës dhe bashkorganizues. Policia e pat arrestuar, jo pse kishte ndonjë informim e provë konkrete, por sepse ishte i Familjes Kelmendi. E mbajnë dy ditë në paraburgim pa ia kursyer dhunën fizike, siç dinin udbashët e Pejës.
Qerimi përfundon me sukses të shkëlqyeshëm Gjimnazin matematikor në Prishtinë. Pastaj e dërgojnë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ku provon maltretime si pothuajse të gjithë shqiptarët. Pastaj, në tetor të vitit 1986 regjistrohet në Fakultet të Bujqësisë dhe në Fakultetin e Kimisë në Prishtinë.
Ndërkohë angazhohet edhe në Lëvizjen klandestine, që atëherë e quanin “ilegale”, më saktë në Lëvizjen për Republikë (atëherë me akronim LPRK), edhe i motivuar nga fakti se vëllai i tij, Ibrahimi, ishte bashkëthemelues me Jusuf Gërvallën dhe Kadri Zekën, siç ua ka thënë me krenari bashkëveprimtarëve të tjerë, herë pas here.
Në vitin 1988-89, shquhet për organizim të rebelimit studentor bashkë me shokë të Lëvizjes, që kishin “kapur” kreun e lëvizjes studentore në Universitet në Prishtinë. Bie në sy sidomos gjatë organizimit të grevës së urisë në sallën sportive, pranë konvikteve të studentëve, duke u solidarizuar me ngjarjen e madhe të minatorëve. Në mars të vitit 1989 e burgosin, në të njëjtën ditë me vëllezërit, Zenelin, jurist, dhe Dautin (Hasanin), kimist. Kundër tij udbashët bëjnë tortura të papara sadiste. Dallohet posaçërisht udbashi Zyber Zyberi, që ishte shpërfytyruar në bishë të çartur. E mbajnë në burg hetues 6 muaj por e lirojnë në mungesë të provave.
Paralelisht me protestat studentore, në klandestinitet të thellë, bashkë me nipin Saliun, vëllezërit Ilir e Adrian Krasniqin (Vranoc / Pejë) dhe shokët Hysen Jasharin, Bajram Hajrizin (Bradash), Lumni Ibrahimin (Ferizaj), Arben Kadriun (Nakëll / Pejë), Ramadan Kastratin, Nusrete S. Haxhiun (Llabjan / Pejë); me vëllezërit Gani e Sali Lajçin (Nakëll/Pejë), Isuf Ibërdemajn (Nabergjan/Pejë), Gëzim Sejdiun, Adem Loshin, Brahim Gashin (Qyshk/Pejë) dhe disa të tjerë formojnë grupin gueril. Në fund të janarit të vitit 1989 ata shkruajnë “Thirrje për bashkim në luftë çlirimtare në Aradhen Çlirimtare të Kosovës” dhe e vendosin në hyrje të Fakultetit filozofik në Prishtinë. Në propagandim dhe thirrje të tyre kishin moton: “Ejani, bashkë të vrasim policë e ushtarë serbë, sepse pa pushkë nuk çlirohet vendi!”
Këshilli popullor i Lëvizjes, ku Qerimi militonte, kishte një kalitje të veçantë nga struktura e Këshillit të Rrethit në Pejë. Ai edhe aty nuk kuptohej sa duhej sepse herë-herë nuk pajtohej me fjalë të mëdha, por të pa mbështetura nga pushka. Konspiracionin e tepruar e quante pengesë në rrugën e lirisë.
Në vitin 1990 angazhohet në LDK dhe shquhet për zellin për t’i përfshirë gjithë bashkëfshatarët. Besonte se përmes asaj lëvizjeje të masave do ta shpaloste veprimtarinë e tij çlirimtare, pa u rrezikuar nga përndjekje e torturat policore, si deri atëherë. Por shpejt u zhgënjye nga udhëheqja e saj.
Në vitin 1991 pëson tronditje të rëndë shpirtërore nga vdekja e 18-vjeçarit Arben (Sylë) Kadria, nga Naklla e Pejës, të cilin e kishte bashkëveprimtar në grupin gueril. Në shtëpinë e mësuesit veteran Sylë Kadria, baba i Arbenit, Qerimi me bashkëveprimtarë të “ilegales” kishin bazën për strehim të armëve, municionit, materialit propagandistik. Së këndejmi Arbeni u frymëzua shumë nga ai përkushtim i Qerimit me shokë.
Në fillim armët i blenin në anën e Rozhajës, meqë dhëndri Halil Dizdari kishte lidhje dhe përvojë me atë veprimtari.
Armë shumë të mira (revole, pushkë automatike), në vitin 1991, Qerimit iu dhuruan edhe nga Qerim Ukë Dreshaj (djali i Tezës), i cili jetonte në Norvegji. Qerim Dreshaj i dërgoi përmes motres së tij, Sabrije Dreshaj-Kelmendi dhe të fshehura në autobus, meqë ai atëherë kishte agjenci turistike për të “eksportuar” shqiptarë nga Kosova në shtete skandinave, ku bënin kërkesë për azil (pasaporta jugosllav atëherë ishte ndër më të privilegjuarit në Botë; udhëtohej pa viza në Perëndim dhe Lindje).
Për t’u furnizuar me armatim në sasi më të madhe, bashkë me bashkëveprimtarë orientohen drejt Shqipërisë qysh gjatë dimrit të vitit 1991/92, duke kaluar këmbë gjithë ato bjeshkë të mbuluara me borë. Rrugëtimin e parë për Shqipëri Qerimi e ndërmori me Ilir Krasniqin dhe Ramadan Kastratin, në tetor të vitit 1991. Por, pasi humbin orientimin në bjeshkë të larta, me ngjashmëri të qafave e majave, meqë duhej rrugëtuar vetëm natën, dështojnë dhe kthehen prapa, pas shumë peripecive. Më 14 janar 1992, ai bashkë me Ilir Krasniqin, Ramadan Kastratin dhe nipin Sali Kelmendin, nisen sërish drejt Shqipërisë. Kësaj radhe ia dalin. Në Tiranë sistemohen në Hotel “Arbëria”, ku Ibrahim Kelmendi, vëllai i Qerimit, kishte rezervuar një anë të një kati (14 dhoma), për t’i strehuar veprimtarët që vinin nga Kosova. Aty takohen edhe me Kadri Veselin, që Qerimi e kishte kolegë të studimeve dhe bashkëveprimtar në Universitet të Kosovës në Prishtinë, në Fakulteti i bujqësisë. Atëherë e tutje shkuarje-ardhjet klandestine në Shqipëri shpeshtohen. Megjithatë, kishin vështirësi të gjenin armë në Shqipëri, dhuratë apo për t’i blerë. Qerimi gjeti një variant praktik të shoqërimit me djem të ushtarakëve të Shqipërisë, përmes të cilëve blinte armë, por ndonjëri edhe i dhuronte (shpesh e ka lavdëruar njërin nga ata me emrin Nardi).
Bazën e parë logjistike e strehuese në Shqipëri, qysh në vitin 1992, vëllazërit Ilir dhe Adrian Krasniqi dhe Qerimi e vendosin në shtëpinë e Tafë Mahmutit, kushëri i Ilirit dhe Adrianit, i shpërngulur para Luftës së Dytë Botërore nga Vranoci në Tropojë. Meqë Besnik Tafa kishte krushqi me Sylejman Berishën, krijohet baza e dytë në Prifq të Tropojës. Më vonë edhe në Sopot e Hoxhaj.
Thuhet se njerëzit që kanë qëllim të njëjtë takohen e njihen gjatë rrugëtimit drejt atij qëllimi. Prandaj ai rrugëtim e angazhim i krijon Qerimit njohje edhe me grupe të tjera guerile të Drenicës, Llapit e Gollakut dhe me çlirimtarë të rretheve të tjera. Ta zëmë, përmes djalit të Plakut të Shishmanit, Astritit, njihet me Zahir Pajazitin, duke krijuar një shoqërim shumë të ngushtë për ta vazhduar edhe me bashkëveprimtarin Ilir Konushevcin, i cili çmohej “trashëgimtar” i Zahirit, pas rënies së tij.
Në këto veprimtari e rrugëtime do të njihen e shoqërohen edhe me Adem Jasharin, Nait Hasanin, vëllezërit Haradinaj, Sokolë Bashotën, Mujë Krasniqin, Selimët e Açarevës, Brahimajt e Jabllanicës, Xheladin Gashin, Qemal Idrizin, Hysen Dreshaj-Besniku, Gëzim Dreshaj-Gencin dhe të tjerë.
Vendimi që merr Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e Lëvizjes, mbajtur në Ujmir të Klinës në tetor 1991, për të kaluar pjesa vitale (luftarake) e Lëvizjes në organizim për luftë të armatosur çlirimtare dështon, ngaqë dezerton udhëheqja e zgjedhur, në krye me Kryetarin Gani Syla, ndërsa Hydajet Hyseni e Mehmet Hajrizi, anëtarë kryesie joshën nga ofertat që duhet t’u kenë bërë krerët e LDK-së. Por, meqë insistimi i pjesës më vitale të Lëvizjes ishte i madh, Mbledhja e Katërt, mbajtur më 26-27 korrik 1993 në Prishtinë, rivendos formimin e forcës së armatosur çlirimtare. Qerimi me bashkëluftëtarë guerilas e mirëpriten atë dhe me vullnet e përkushtim të shtuar u angazhuan për të shtuar numrin e bashkëluftëtarëve, me të cilët përcaktohet të kaliteshin me aksione të herëpashershme guerile. Ai angazhim, pra, i krijon mundësi të shoqërohet edhe me Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Mujë Krasniqin, që ishin korifej të bërthamave të UÇK-së në formim.
Qerimi shquhej për dhunti intuitive t’u beson shumë edhe miqve të familjes së gjerë. Kështu, pos Shtëpisë se mësuesit veteran Sylë Kadria (Nakëll të Pejës), që e kishte si shtëpi të tij të dytë, pas asaj familjare, sa herë që ishte në rrezik nga arrestimi policor, strehohej edhe të bashkëfshatari Sylejman Haxhia, Familia Kuqi (Lutogllavë e Pejës) nga që kunata e madhe, Hava, ishte nga ajo Familje), përkundër faktit që Metë Kuqi ishte kryeshef në UDB-në “krahinore”, siç e quanin atëherë Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të KSA të Kosovës. Shpesh strehohej edhe me bashkëluftëtarë të Familja Çetaj dhe Sadik Rama në Trubuhovc, të vëllezërit Dizdari në Kusuriq (meqë Halilin e kishte dhëndër), e të familjeve të tjera patriotike që ishin të gatshme të përkrahnin luftëtarët e lirisë, të vetëdijshëm se edhe mund ta pësonin po u zbuluan.
Më 22 qershor 1996 Qerimit i rastisi të ishte ushtari i parë i UÇK-së, që u plagos në sulmin gueril të stacionit të policisë në Qollopek të Pejës. Ndihmën e parë do t’ia ofronte bashkëveprimtarja Arjetë Kelmendi, – bashkëshortja e mëvonshme e Qerimit, – e cila angazhoi edhe mjekun Prof. Dr. Imer Mekajn, sepse ai kishte shfaqur gatishmëri për ta përkrahur UÇK-në. Në atë aksion ai qe bashkë me Adrian Krasniqin, Besnik Dreshajn, Alban Nezirin. Fatkeqësisht, pas sulmit, në arrati e sipër, i shpëton valixhja që e kishte me armë e municion. Nga pakujdesia, valixhja që mbante etiketë të vockël qysh kur motra e Qerimit e kishte dërguar me ndihma nga Zvicra, u bë shkak të identifikohet sulmuesi Qerim, motra dhe familjarët e tjerë. Ata ballafaqohen me tortura të mëdha nga policia serbe në Pejë. Motra Ryvë më vonë është mjekuar shumë muaj në spital psikiatrik në Zvicër. Ndërkaq Qerimin e plagosur, bashkëluftëtarët e transferojnë në Shqipëri për mjekim. Atje ai angazhohet edhe për zgjerimin e rrjetit logjistik për bartjen klandestine të armëve e municionit nga Shqipëria në Kosovë, duke i përforcuar bazat që kishin organizuar bashkë me Adrian e Ilir Krasniqin, qysh nga viti 1992.
Në ato vite shquhet për guximin dhe përvojën për udhëheqje të grupeve logjistike që ngarkoheshin me armatim e municion në Shqipëri, për futje klandestine në Kosovë dhe atë lloj rrugëtimi me këmbë e bëri shumë herë.
Në vitin 1996 kanë marrë përkrahje të vyer nga vëllezërit Emin, Hajdin e Xhavit Dakaj (Topliqan / Lipjan). Me Familje të tyre vëllezërit Kelmendi kishin miqësi të ngushtë, qysh kur Zeneli ka qenë në shërbim ushtarak në Slloveni dhe atje është njohur me ta. Vëllazërit Emin e Hajdin Daka dhe bashkëshortet e tyre, u sjellnin armë të mira nga Zvicra, meqë si shtetas zviceran i blenin në shitore përkatëse. Kështu, Qerimi dhe Zahiri, pos që furnizoheshin me armë, e kishin në Topliqan edhe një bazë klandestine për strehim.
Vrasja nga policia serbe e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, në pusi në Pestovë (në rrugën Prishtinë-Mitrovicë), më 31 janar 1997, qe goditje tronditëse për Qerimin dhe bashkëluftëtarët. Meqë nuk po u jepej ndihmë financiare nga Fondi “Vendlindja thërret”, themeluar për ta financuar armatimin e UÇK-së, Qerimi ndihet i detyruar të arratiset në Gjermani në fund shkurtit 1997, po edhe për ta vazhduar mjekimin, meqë në Tiranë ndihet i rrezikuar nga pushteti i Sali Berishës. Në anën tjetër, edhe për të mbledhur ndihma financiare për bashkëluftëtarë. Pasi mblodhi 7.000,- DM ndihma nga Demir Demiri (Morinë / Gjakovë, Bochum), vëllai Mustafë Kelmendi, nipi Sali dhe familjarë e shokë tjerë, kthehet prapë në Shqipëri në qershor 1997, për të vazhduar furnizimin me armatim e municion dhe për të përgatitur sulme të reja guerile.
Më 16 tetor 1997, Qerimi bashkë me Adrian Krasniqin, -komandant i njësitit gueril të Dukagjinit, qysh nga maji 1992, – dhe bashkëluftëtarët Ilir Konushevci e Mujë Krasniqi, sulmojnë stacionin e policisë në Kliqinë, njëkohësisht edhe për t’i treguar Serbisë së vrasjet dhe burgosjet në fillim të atij viti nuk e kishin zhdukur UÇK-në, edhe pse “shtabi qendror” e kishte humbur atë funksionalitet që kishte pasur deri kur burgoset Nait Hasani. Fatkeqësisht në atë sulm bie Adrian Krasniqi, duke e tronditur shumë rëndë Ilirin, Mujën dhe Qerimin. Ata që kanë pasur njohje nga afër thoshin se vrasja e Adrianit i kishte shkaktuar Qerimit edhe tronditje të madhe shpirtërore.
Po në tetor 1997 Qerimi dhe Ilir Konushevci arratisen sërish në Shqipëri dhe bashkë edhe me Naim Hazirin (“Dilaverin”) dhe bashkëluftetarë tjerë, zgjerojnë e konsolidojnë sektorin logjistik atje.
Më 12 dhjetor 1997, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, shpall aktgjykimin p.nr.68/97, duke e dënuar Qerimin në mungesë me 15 vjet burgim për veprimtari “terroriste”. Në të njëjtin proces gjyqësor janë gjykuar Nait Hasani (20 vjet burg), Agron Tolaj, Arif Vokshi, Hasan Zeneli, Agim Makolli, Hamzë Panxhaj, Asllan Selimi, Eqrem Kastrati, Isak Shabani, Bislim Zogaj, Ali Gjulliqi, Demir Limaj, Agim Hulaj, Selim Lokaj, Hajdin Rama, Nezir Zogaj (gjithsej 17 veta).
Në Shqipëri, sektori logjistik në atë kohë, fatkeqësisht sabotohej kryesisht nga Xhavit Haliti dhe Azem Syla, të cilët mashtronin se ishin shefa e komandantë të UÇK-së (herë i thoshin Shtab Qendror e herë i Përgjithshëm), duke e lajkatuar edhe Ilir Konushevcin se ishte anëtar shtabi (meqë ZO e Llapit dhe Gollaku e kishte “deleguar Ilirin për në Shtab të Përgjithshëm). Por e vërteta ishte se Iliri asnjëherë nuk mori pjesë në mbledhje të ndonjë shtabi të përgjithshëm apo qendror. Për këto arsye sektori logjistik nuk furnizohej me armatim e municion, por as me financa, sa kishte kapacitet për të bërë transport drejt Kosovës. Kështu u shkaktuan edhe grindje e konflikte, jo vetëm mes Kryesisë së Lëvizjes me dy anëtarë të saj, Xhavitin dhe Azemin, por edhe konflikti mes sektorit logjistik të UÇK-së, me epiqendra në Golem dhe Tropojë, me sabotuesit Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Për rrjedhojë, policia e Fatos Nanos e pat arrestuar Qerimin në Tropojë, kur po i shoqëronte për futje klandestine në Kosovë komandot e UÇK-së, në krye me Bekim Shytin, në fund të marsit 1998 (u liruan me ndërmjetësim të zv-drejtorit të Policisë, gjirokastritit patriot Ilir Çano, pa marrë leje nga Kryeministri Nano dhe Drejtori Sokol Bare).
Për të anashkaluar ndonjë përplasje të mëtejme, në fund të prillit 1998 Qerimi emigron në Gjermani, sepse bashkëluftëtarët, Ilir Konushevci dhe të tjerët rreth tyre, ishin të mendimit se Qerimi ishte i rrezikuar dhe prania e tij në Shqipëri po bëhej e pamundur. Pos kësaj ata ishin të mendimit se Qerimi, i afirmuar tashmë si invalid i UÇK-së, mund të ndikonte shumë në propagandim të Fondit “Vendlindja thërret” në Perëndim, si nevojë emergjente për të armatosur gjithë ata që donin t’i bashkoheshin UÇK-së. Qerimi u ngarkua nga bashkëveprimtarët që t’i përfaqësonte në Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme të Lëvizjes, që ishte caktuar të mbahej në fillim të majit 1998 në Zvicër. Ai pranoi të emigronte, meqë tashmë Sektorin logjistik që e komandonte Ilir Konushevci, e kishte përforcuar edhe me shumë emigrantë që patën ardhur nga Gjermania, si Demir e Violeta Demiri, Fanol Bardhi, Gani Nuhaj, Lushe, Bekim, Maragritë e Atdhe Kelmendi, Sabrije Mekaj-Kelmendi, Naim Kastrati, Osman Kelmendi, Blerim Muriqi dhe të tjerë.
Lajmi për vrasjen e Ilir Konushevcit, në natën e 9 majit 1998, në priten e zënë në Qafëmali (Shqipëri), e gjeti Qerimin në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, që po mbahej në Gjermani. Ishte ftuar për të rrëfyer për sabotimet që po i bëheshin Sektorit të logjistikës në Shqipëri nga Xhavit Haliti dhe Azem Syla.
Ngaqë u vlerësua se aktiviteti i Qerimit ishte shumë produktive në motivim të bashkatdhetarëve në dhënie të ndihmave financiare, u udhëzua që ta ushtronte atë veprimtari në Perëndim. Por herë pas here kthehej në Shqipëri, për të ndihmuar në terren Sektorin logjistik, i cili duhej të furnizonte luftën në Kosovë me bukë të UÇK-së, – siç e quante Qerimi me bashkëluftëtarë, armatimin dhe municionin që i dërgohej UÇK-së nga Shqipëria.
Pas çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb ai i kthehet jetës private në vendlindje, siç thuhet, larg angazhimeve partiake, meqë si ushtar i UÇK-së nuk donte të bëhej pjesëtar i një partie e të shihej shtrembër nga bashkëluftëtarët e organizuar në parti të tjera. Vetëm kur Kryeministrin Ramush Haradinajn e ekstraduan në burg të Hagës, në mars 2005, Qerimi u angazhuar për ta përkrahur AAK-në, parti që ishte themeluar dhe komandohej po nga Ramushi. Por edhe aty u zhgënjye, sepse AAK Vëllazërit Haradinaj e trajtonin si korporatë private.
Që t’ua mbyllte gojën ca spekulantëve se vetëm ata që nuk ia kanë dalë të studiojnë e të bëjnë karrierë janë angazhuar në veprimtari çlirimtare, Qerimi, që kishte qenë studentë i shkëlqyeshëm para se të bëhet gueril klandestin, iu përvesh sërish studimit. Mbaroi studimet në Kolegjin “Iliria”, fal financimit nga Sali Lajçi, tashmë shqiptaro-gjerman, por që kishte qenë bashkëveprimtar me Qerimin në grupin gueril.
Edhe pse i tërhequr nga angazhimet politike e partiake, edhe për shkaqe shëndetësore, kundër Qerimit u zhvillua një luftë e orkestruar speciale, shpifëse, diskualifikuese, hakmarrëse, siç rëndom i bëjnë shërbimet e Serbisë kundër luftëtarëve të shquar.
Dorasit kriminelë të Serbisë neofashiste, që nuk po e prajnë hakmarrjen kundër çlirimtarëve, i zunë pritën, më 27 shkurt 2020, afër shtëpisë në fshatin Llabjan të Pejës, duke shfaqur barbari të paparë, ku pas ekzekutimit me breshëri plumbash edhe e dogjën trupit të tij.
29.07.2020
Osman Kelmendi
[Këtë informacion e kam nga përjetimet, ca rrëfime spontane të Qerimit, por më shumë nga bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij. Po shpresoj, në të ardhmen e afërt të shkruhet një monografi më gjithëpërfshirëse.]