Vetëdija Kombëtare
Vetëdija Kombëtare
Dija që përvetësohet e zbatohet në frymën e vënies së interesave kombëtare përpara e mbi interesat individuale, familjare, grupore, fisnore, krahinore, fetare, ideologjike e partiake, është vetëdija kombëtare.
Kombi ruhet më së miri, duke frenuar dhe pamundësuar lakmitë e ambicjet e padrejta të kombeve tjera ndaj nesh,por njëkohësisht edhe duke frenuar e pamundësuar ambicjet e lakmitë tona të padrejta ndaj kombeve tjera.
Kombi mbrohet duke mbrojtur të gjitha të drejtat e çdo bashkëkombasi,por pa dëmtuar të drejtat e pjesëtarëve të kombeve tjera.
Kombi mbrohet duke qenë të hapur për bashkpunim me të gjitha kombet liridashëse në botë.
Kombi mbrohet duke mbrojtur lirinë e kombeve të kërcënuara e duke ndihmuar aktivisht lirimin e kombeve të robëruara.
Kombi forcohet duke rritur e zgjeruar dijen e duke ngritur vetëdijen shkencore, artistike e politike si forca të domosdoshme organizuese.
Kombi forcohet duke garantuar me këmbëngulje lirinë e mendimit dinamik, lirinë e krijimit përparimtar dhe të veprimit produktiv.
Kombi forcohet duke identifikuar dhe neutralizuar mashtruesit, hilexhinjtë, manipulatorët dhe kriminelët e të gjitha llojeve.
Kombi forcohet duke zhvilluar e përsosur identitetin e veçoritë e veta pozitive që, duke ngritur cilësinë e vet, të pasurojë laryshinë e të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërkombëtar.
Adem Demaçi 2001.