Në Ditëlindjen e Shkollës sime
NË DITËLINDJEN E SHKOLLËS SIME
I ndrojtur, me ankth dhe plot sfidë, ishte dita e parë kur iu drejtova klasës, tani jo si nxënës, jo si student, por si edukator me misionin e edukimit të brezave të ri.
Ishte një objekt shkollor i ndërtuar nga druri, me dyer dhe dysheme të dëmtuar nga koha, me një kopsht në mes të dy pjesëve të shkollës i cili të krijonte përshtypjen e një kopshti botanik, ku ti mund të gjeje qetësinë në mes të zhurmës.
Kishte një oborr rreth objektit shkollor të dominuar nga dheu i thatë dhe guralecetët që ta mjegullonin pamjen nga pluhuri që ngritej lartë nga loja e fëmijëve.
Më dukej gjithçka e komplikuar, por kisha forcën dhe kurajon të triumfoja mbi të panjohurën që po më rrethonte.
Shpejt u adaptova dhe u familjarizova me ambientin fizik dhe social. Nxënësit më ofronin sadisfaksionin e të qenurit mësues, kurse kolegët, sadisfaksionin e të qenurit dikush në një shoqëri ku të dukej e vështirë të hidhje hapin e parë në jetë.
Suksesi i nxënësve dhe i yni duhej shpërblehej në njëfarë mënyre, kështuqë: shëtitjet gjysmëditore, eskursionet, vizitat me karakter informues dhe edukues, festat kombëtare dhe ndërkombëtare, ahengjet me rastin e ditës së mësuesit ishin dhe mbetën impenjativi domethënës i punës sonë.
Kishim plot sfida si shkollë, duke filluar nga shkurti i 42 viteve më parë, kur ne u shkëputem nga shkolla “Vaso Pasha”. Puna ishte vështirësuar shumë sidomos në vitet 90-ta, kur ne sfiduam kohën duke organizuar sistemin paralel të edukimit. Provokimet e nxënësve serb bashkë me prindërit e tyre, të shoqëruar dhe përkrahur edhe nga mësimdhënësit serb, të cilët poashtu punonin në të njëjtin objekt, ishin të shumta. Shumë mësimdhënës të kësaj shkolle u maltretuan, rrahën dhe burgosën, me të vetmen arsye se ishin shqiptar dhe punonin për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri i cili nuk do ta duronte më, zgjedhen serbe.
I kujtojmë me mallë kolegët që tanimë nuk janë në mesin tonë.
E kujtoj në veçanti kolegun dhe mikun tim të sinqertë, Haki Qufa, i cili mbetet akoma në mendjen dhe zemrën time, si njeriu i vlerave të larta humane. Ndarja e tij para kohe nga jeta, na ndau një pjesë të bukur edhe nga jeta edhe nga shkolla, na krijoi një boshllëk që edhe sot nuk është plotësuar dot.
I kujtojmë ata ish nxënës të shkollës që u vranë nga forcat armike, duke i dërguar në përjetësinë e pavdekshmërisë.
Sfida e shpërthimit të kaldajës së shkollës, ku mbetën të plagusura rëndë e lehtë pesë fëmijë të shkollës sonë, ishte një moment ogurzi i cili na imponoi dhembje dhe ankth për një kohë të gjatë.
Sfidë mbetet edhe pensionimi i shumë kolegëve të cilët kur po largohen zyrtarisht nga shkolla, po vërehet një boshllek që me zor po plotësohet.
Të bënë të dridhen gjunjët dhe të mpihet buza, kur shikon se të vdesin kolegët akoma pa arritur moshën e pensionit siç ndodhi me Hakiun dhe Gjejronen, të cilët së bashku edhe me Azemin e Ademin e shumë të tjerë, duan të na urojnë ditën e shkollës nga amshimi.
Përkundër sfidave, ne do vazhdojmë të ecim përpara, do ju qëndrojmë besnik ëndrrave të nxënësve tanë dhe do vazhdojmë me fanatizëm t’i ruajmë dhe t’i transferojmë vlerat humane dhe kombëtare tek nxënësit tonë.
Ta ruajmë dhe duam shkollën tonë, të shmangim dallimet dhe t’i bashkojmë forcat për një brez të ri i cili do të jetë më i edukuar dhe më i arsimuar, për një brez i cili do t’i bëj ëndrrat realitet jo atje por këtu.
Me dashuri dhe respekt: Florent Selca.