Profesor Rrahman Paçarizi kërkon kujdes për Malishevën
PRISHTINA MUND T’JU KETË HARRU – SHËNDETI DHE JETA JUAJ JANË NË DORËN TUAJ
Te dashur qytetarë të Malishevës
Situata epidemiologjike në komunën tonë është tashmë tepër e vështirë dhe e rrezikshme, sidomos për fëmijët tanë, për prindërit tanë dhe për të sëmurët tanë. Unë e di që Malisheva është e lënë pasdore që pas Luftës së Dytë Botërore. Unë e di që për 70 vjet askush nuk është marrë mjaft seriozisht me ne. Unë e di që për 70 vjet shteti nuk ka hapë as edhe një punëtori. Na krejt e dimë pse ka ndodhë kështu – se kemi qenë të gjithë shqiptarë e të lënë pasdore. Ndoshta edhe tash jemi të lënë pasdore në njëfarë mënyre.
Mirëpo, harrojini krejt këto për të mirën tuaj! Ju që ditët me u çu, i madh e i vogël e me luftu, tash e keni përpara një luftë tjetër, ku kërkohet nga ju të jeni të përgjegjshëm dhe të respektoni udhëzimet e organeve kompetente të shëndetësisë e të policisë për respektimin e masave. Vetëm ato ju shpëtojnë. Ju keni dëshmu se jeni trima, kur i keni dalë përpara ushtrisë e policisë serbe – tash dëshmojeni trimërinë duke ndejtë në shpi, duke mos dalë në ndeja nëpër oda e kafe ku s’ju sheh policia. Virusi Korona është tinëzar, dinak dhe i padukshëm. Ky armik luftohet duke ndejtë brenda, duke heqë dorë nga vizitat familjare, duke heqë dorë nga përshëndetja dorë më dorë e për qafe, duke heqë dorë nga nxjerrja e fëmijëve nëpër shitore me arsyetimin se janë mërzitë. Mos harroni që në shtëpitë tuaja keni edhe fëmijë, pleq e të sëmurë, të cilët i vrisni duke i infektu, veç pse doni me u shitë trima që s’jau nin për virusa, veç pse doni me u tregu bujarë duke u përshëndetë dorë për dore e me u ulë gu m’gu në odë e me pi kafe, çaj e cigare.
Ndoshta dikush nga ju ma konteston këtë thirrje, se unë nuk jetoj atje. Besomëni se unë po shkruj veç pse ju du shumë. Po, prapë, ju keni të drejtë me qenë të pabindur ndaj meje si bashkëvendës se jetoj në Prishtinë, keni të drejtë me qenë të revoltuar ndaj Prishtinës që nuk është marrë me ju asnjëherë në mënyrën e duhur. As tash nuk është marrë në mënyrën e duhur. Kjo s’do me thanë që ju me bë vetëvrasje tash duke mos i respektu udhëzimet që vijnë nga Prishtina. Përkundrazi, shëndeti dhe jeta juaj, tash janë në dorën tuaj, si gjithmonë deri tash. Tash, ju po e shihni që Prishtina është kaplu nga debatet politike. Tash ju duhet ta kuptoni sa shumë e keni në dorë jetën dhe shëndetin tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Ma shumë se 65 veta të infektuar ka mundësi me i pasë infektu edhe qindra të tjerë. Qata të infektuar mund t’i infektojnë fëmijët tuaj, nanat e baballarët tuaj…
Qeveria e Kosovës duhet me reagu urgjentisht dhe e me e kthy fokusin kah Malisheva se Malisheva është pjesë e Kosovës, pavarësisht se për kë votojnë ata njerëz – ata janë qytetarë të Kosovës. I dashur ministër Arben Vitia që të kemi lavdëru bash çdo ditë që ka dhanë Zoti, të nderuar zyrtarë të policisë, është koha që një pjesë e stafit tuaj të vendoset në Malishevë. Këtë e keni detyrë. Nëse nuk e dini ku i bie Malisheva, unë ju tregoj edhe vij me ju. Mos mendoni se janë njerëz të egër që i durojnë virusat qysh i kanë duru rriqnat, qysh e kanë duru luftën. Kjo është thirrje njerëzore. E thirrja tjetër është se në partitë tuaja keni njerëz nga Malisheva që jua kanë rritë votat. Mos ju prektë thirrja e parë, le t’ju prekë thirrja e dytë. E kjo vlen për krejt partitë se tash s’po ma nin për politikën tuaj, s’po ma nin a ka me pasë zgjedhje a ka me pasë qeveri të re, me ju a pa ju. S’po me intereson as a e shpallni gjendjen e jashtëzakonshme a jo. Malisheva ime është në gjendje të jashtëzakonshme, se janë më shumë se 65 të prekur nga Virusi Korona. Hajde lëvizni!
Qytetarë të Maishevës, deri sa të lëvizin, nëse lëvizin, ju rrini në shpi e leni ndejat e trimninë. Mu kritikomëni pastaj. Unë po jua kërkoj këtë se ju du shumë!
Rrahman Paçarizi, lindur e rritur në Malishevë