Intervistë nga Spiro Koleka në vitin 1994
HUMBËM NJË BETEJË PO JO GJITHË LUFTËN
Intervistë me inxh. Spiro Koleka
Gazeta ‘POPULLI’ e datës 23 nëntor 1994
TRE BURRA TË MËDHENJ NXORRI SHQIPËRIA PAS ERËS SË RE : SKËNDERBEUN, ISMAIL QEMALIN DHE ENVER HOXHËN. SKËNDËRBEU U NGRIT SI SHQIPONJA DHE MBROJTI VËNDIN E TIJ DHE QYTETËRIMIN EVROPIAN KUNDËR HORDHIVE TURKE, ISMAIL QEMALI I DOLI PËR ZOT POPULLIT DHE VËNDIT KUR FATET TONA ISHIN NË TEH TË BRISKUT, NDËRSA ENVER HOXHA DOLI KUR RREZIKOHEJ QËNIA SI SHTET E SI KOMB E SHQIPTARËVE DHE E RRADHITI POPULLIN TONË NDËR MË TË NDERUARIT E MË TË FITUARIT.
Në vargun e takimeve me disa njerëz të njohur politikanë, me rastin e 50 vjetorit të çlirimit të vëndit, u takuam dhe me inxhinjer Spiro Kolekën, që të na jepte disa mendime. Ai na priti grohtë, po i’u pergjigj ftohtë kërkeses për intervistë.
- Inxhinjer Spiro Koleka – Përse nuk e thoni hapur që ju i jeni drejtuar të ashtuquajturve ekstremistë të majtë, siç po na thoni tani? Po mirë, po ua deshi puna kalemxhinjve apo politikanëve për punet e tyre të mbrapshta, le të na quajnë dhe kështu, unë s’bëhem fort merak. Njerëzit ikin nga kjo jetë, partitë dhe politika ndrrohen ndërsa historia dhe e vërteta mbetet. Sa për intervistat ato janë bërë të modës. Njerëzit thonë e shkruajnë shpesh ç’u vjen në mënd. Unë s’i kam qejf, se pyetjet në përgjithësi s’janë të çiltra e çdo përgjigje e imja do të zëmëronte dhe më shumë ata që nuk na duan. Para një muaji, një shkrues i gazetës ‘INTERVISTA’ më pyeti:
- Ç’mendime keni për situatën?
- Siç është bërë ajo lesh e li dhe profet të jesh, nuk ke çfarë thua – i’u pergjigja dhe ai s’u duk më për intervistën. Të njëjtën gjë thoni përsëri, po sa para bën kjo? Kot që na pyesni. Mbi neve është hedhur baltë e jashtëzakonshme e vazhdon të hidhet. Kundërshtaret tanë synojnë të hedhin pluralizmin në ‘pluhuralizëm’, të fshijnë çdo gjë që u bë në këta 55 vjet. S’ke ç’i bën. Kundërrevolucion është ky, ndonëse jo ashtu siç e mendonim neve. Jo, jo, nuk e ndjej veten ngrohtë të jap nje interviste. E për çfarë? Sot nuk ta var njeri, nuk kanë një vlerë kushedi çfarë të vërtetat tona. Ja unë do të mbroj luftën dhe Enver Hoxhën dhe përsëri do të më thonë ekstremist i majtë, enverist, komunist e ku di unë se ç’tjetër. Le të më thonë. I tillë kam qënë me bindje e me ndërgjegje e i tillë do mbetem. Unë prapë e them me zë të lartë, se vetëm për luftën që udhëhoqi kundër fashizmit dhe bashkëpuntorëve të tij, Enver Hoxhën duhet ta ngrejmë në qiell. Tre burra të mëdhenj nxori Shqipëria pas erës së re: Skëndërbeun, Ismail Qemalin e Enver Hoxhën. Skëndërbeu u ngrit si shqiponja dhe mbrojti vëndin e tij dhe qytetërimin evropian kundër hordhive turke, Ismail Qemali i doli zot popullit dhe vëndit kur fatet tona ishin në teh të briskut, ndersa Enver Hoxha doli kur rrezikohej qënja si shtet e si komb e shqiptarëve dhe e radhiti popullin tonë ndër më të nderuarit e më të fituarit.
Çtë them, jo Enver Hoxhën, por sot po bëjnë leckë një luftë e një popull të tërë. Sot po bëjnë ligjin Gjonmarkajt, Lepenicët, Muçot, Dostët e Butkat e rinj, njerëz që e donin dhe e duan Shqipërine si çiflik të tyre. Këtë Shqipëri që është bërë ‘si han pa porta’ e është vënë në ankand.
Qëndruam ne në pushtet për afro 50 vjet, po këtu buçiste kënga dhe muzika popullore, ndërsa sot na merr malli t’i dëgjojmë ato në radion e televizionin ‘kombëtar’. Ngritëm tërë atë kulturë, tërë atë art. Nga 380 vetë që ishim në 1945, afro 100 mijë është numri i shqiptarëve me shkollë të lartë sot. 70% e rinisë është me shkollë të mesme. Ku vajti gjithë ky mund? Kaq pa gjë jemi sa të na quajnë të paditur e të na shurdhojnë veshët vetëm motivet dhe këngët e huaja, sa të shkelim dhe mbi krenarinë tonë kombëtare? Po regjisorët, artistët e teatrit e kinematografisë, filmat tanë, si u harruan e u shkretuan kaq shpejt?
Ne s’dolëm në luftë për çifliqe, nuk e rrezikuam kokën për kolltuqe. Enver Hoxha dhe Partia Komuniste e më pas Partia e Punës, e nxorrën Shqipërinë nga mesjeta dhe e sollën në shekullin e 20-te dhe kjo s’është pak. Tani vijnë të huajtë e na trajtojnë si Somali, tallen me tragjedinë tonë. Këtu këndonte e sundonte populli shqiptar. S’kemi qënë as lakej, as shërbëtorë siç duan të na quajnë sot e siç po bëhen pinjollët e atyre që na shanin e na etiketonin dje.
Ç’të them, ç’të flas?
Kush e shiti Shqipërinë, neve apo këta? Sot po shfaroset gjithshka me histeri të paparë, me egërsi të jashtëzakonshme. Thua se fajin e kanë museumet, shkollat, kopshtet e çerdhet, oxhaqet dhe ndërtesat industriale, makineritë, drurët, pyjet, parqet, kënetat e thara e veprat ujitëse. Ç’u bë qetësia që kishim? Këta shkatrruan çdo gjë dhe pastaj llapin për ritmet më të shpejta të zhvillimit në Europë! Kishim një eksport prej 600- 800 milion dollarësh në vit dhe mirë a keq qëndruam 10 vjet edhe pa asnjë ndihmë ekonomike nga jashtë, po radhë për bukë, mjerim e shtenjtësi si sot, nuk provuam kurrë. Kishim tërë atë industri që e mirë a e keqe ishte rentabël. Po tani? Ç’u bënë gjithë këto? 400 000 njerëz u hodhën në rrugë të papunë. Të huajt që s’ia kanë dashur kurrë të mirën kombit shqiptar, me agjentët e çirakët e tyre, pa ardhur akoma këta në fuqi, i çoroditën njerëzit e i bënë të ikin nga sytë këmbët. Ç’bën më shumë sërbi në Kosovë? A s’janë shpërndarë nëpër botë kosovarët si njëherë e një kohë çifutët? Ku është ajo pasuri kombëtare? Kush po e trashëgon atë? A mbeti prej saj një thërrime për popullin që gjithshka e vuri me mundim dhe djersën e tij? Dhe na quajnë neve të korruptuar këta që po luajnë me milionat dhe miliardat e popullit, që po grabisin çdo gjë me themel.
Jam marrë me ekonominë për një kohë të gjatë dhe më pikon shpirti gjak kur shoh si u katandis vendi. E përse? Se kështu i do qejfi FMN, Bankës Botërore, që drejtojnë ekonominë tonë e që janë shumë të dashuruar pas “nivelit zero” e “terapisë shock” dhe bëjnë eksperimente me shqiptarët duke na ngopur me lugë të zbrazët.
Gjëndjë është jashtëzakonisht ë rëndë për kombin shqiptar. A nuk u sabotua nga partia në pushtet dhe udhëheqësi i saj Sali Berisha, mbledhja bashkëkombëtare për bashkim e paqtim, që 7 milion shqiptarët të dilnin përpara Evropës e mbarë botës me një zë? Këtë e sabotuan ish opozita e djeshme, pozita e sotme. Dhe a nuk drejtohen këta nga ata që s’na kanë dashur kurrë e s’ia duan të mirën popullit tonë, ata që e kanë aq për zëmër parullën “përça e sundo” dhe fjalët e Bismarkut “Shqipëria, shprehje gjeografike”? Kush e le Millosheviçin e Karaviçin të shijnë e të korrin në Bosnje? Ata që gatuan 13-tën e zezë shqiptare, ata që duan ta mbysin Shqipërinë e Kosovën në gjak. Sot po bëhet një mashtrim i jashtëzakonshëm i popullit tonë, një përçarje e paparë, diabolike. Duket sikur koha ka ngrirë në vënd, sikur jemi kthyer në vitet e mbrapshta, kur Shqipëria shihej si plaçkë tregu, një copë mua, një copë ty, një atij tjetrit. E njëjta lojë e fëlliqur, sa të na kërcënojnë se do të na pushtojnë me çiftet e gjahut! E pra Enver Hoxhën s’e kërcënonte njeri kështu, se ai ta tregonte vëndin, ta vinte kufirin te thana.
Ç’të them? Na poshtëruan si asnjëherë në historinë tonë shumë shekullore. Dhe kë? Popullin shqiptar me emër të nderuar në botë si punëtor sedërtar e që s’e ka nderur kurrë dorën të kërkojë lëmoshë. Shkatërruan gjithshka që t’ia hidhnin fajin rendit socialist ose siç po trumbetohet me të madhe komunizmit dhe na shkatërruan shpirtërisht, moralisht e materialisht, si mos më keq, sa të na mbajnë me lëmoshë Italia, Turqia, Greqia, Arabia Saudite, Komuniteti evropian, SHBA dhe gjithë bota, që nga buka, makaronat, orizi, vaji, sheqeri, biskotat e stërprishura inglese e deri tek stoqet e mykura të magazinave të botës dhe rrobat e vjetra që shiten me kile.
Arritëm neve që të na mbajnë me presh e lakra një Maqedoni e vogël, ku e ku më e dobët ekonomikisht, ajo Maqedoni që u punon njëmijë e një te zeza shqiptarëve e që i bën fije fije. Edhe një parti të saktë që kishin shqiptarët atje plasën zotërinjtë sa e përçanë për t’i bërë qejfin kushedi kujt.