Replika e z.Sander Lleshaj me deputetin Murrizi

Replika në seancën e sotme plenare:

Zoti Murrizi,
duhet të keni të qartë që Shqipëria është një vend, që nuk ka kufizime sa i përket prodhimit të armëve në Shqipëri. Pra parimisht edhe Shqipëria mund të prodhojë armë, ka prodhuar, mund të prodhojë dhe nesër dhe mbase duhet të prodhojë dhe nesër. Dhe sot Shqipëria prodhon mjete shpërthyese, prodhon fishekzjarrë nga ato që shtruat pyetjen fort shqetësuese ‘nga hyjnë’; edhe prodhohen fishekzjarrë në Shqipëri që ju duhet ta dini, dhe duhet ta dinë edhe të tjerët.

Sigurisht që prodhohen në mënyrë të paligjshme, ose edhe të ligjshme; janë prodhuar për eksport, por janë keqpërdorur këtu.

Sa i përket bllokimit të kufirit, pati një kontraditë për faktin se ne nuk mendojmë që duhet të bllokojmë kufirin për të ruajtur mosfutjen e armëve në Shqipëri.

Shqipëria është vend i lirë dhe kufijtë tanë janë shumë porozë për arsye se janë kufij të gjelbër tashmë. Nuk janë kufij me tela me gjemba dhe përmes këtyre kufijve të gjelbër mund të futen. Ashtu siç futen kontrabandë cigare e mallra të tjera, mund të futen edhe armë dhe mjete të rrezikshme. Prandaj duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshkimi penal ndaj posedimit të armëve.

Ne do të shkojmë në një hap më të rëndësishëm më vonë duke forcuar kriteret për mbajtjen e armëve edhe në mënyrë të ligjshme.

Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve europiane ka një politikë penale relativisht liberale sa i përket dënimit penal.

Ju e dini që ne jemi një vend që nuk e ka dënimin me vdekje, ndërkohë që ka vende të tjera që kanë dënim me vdekje dhe ndjekin politika shumë liberale ndaj armëve, po themi Amerika, e cila i lejon armët, por bashkë me armën të jep mundësinë e uljes në karrigen elektrike apo në shtratin e infuzionit helmues kur ti e shkel.

Ne që e kemi hequr dënimin me vdekje, duhet të heqim edhe mundësinë fizike që dikush të vrasë.

Kur ja kemi hequr këtë mundësi ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, i cili siç thatë ju nuk mund të pengohet kurrë për t’u çmendur, që një ditë të caktuar duke e patur lehtësisht në dorë armën, edhe mund ta përdorë keq edhe mund të vrasi njeri. Kjo është pak a shumë ideja që është mbrapa këtij propozimi.

Të forcojmë dënimin penal ndaj atyre që posedojnë në mënyrë të paligjshme armë, sepse këto armë nuk janë instrumente muzikore nga ato të ahengut që përmendët, po janë mjete të cilat kanë vetëm një funksion – për të vrarë.

Sa më shumë ta ngushtojmë hapësirën e përdorimit të armëve ose mbajtjes së armëve, aq më shumë i kemi shërbyer jetës së qytetarëve tanë. Mos harroni se në vitin e famshëm ‘97 në Shqipëri janë vrarë mijëra njerëz në mënyrë të pavullnetshme.

Thjesht për faktin se shqiptarët nuk e dinin ende në atë kohë, shumë prej tyre, diferencën midis një instrumenti muzikor dhe një instrumenti që quhet pushkë. Dhe nga kënaqësia që u shkaktonte tingulli i plumbave që dilnin kanë vrarë njerëz dhe sot nuk e dinë që kanë vrarë. Se i kanë hedhur ata plumba në ajër, të cilat diku kanë rënë dhe kanë vrarë dikë, dhe dikush sot nuk mund të jetë i qartë që s’ka vrarë njeri edhe nuk e di.

Prandaj ju ftoj të reflektoni në këtë drejtim, sa më pak armë të ketë Shqipëria, është më mirë.
Faleminderit!

Leave a Reply