KONGRESI I PËRMETIT NGJARJE MADHESHTORE
Lavdi Kongresit Historik të Përmetit !
75 vite më parë, më 24 Maj 1944, u mbajt Kongresi Historik i Përmetit. Partia Komuniste e Shqipërisë organizatorja dhe udhëheqësja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke vlerësuar si vendimtare për fatet e luftës dhe të Shqipërisë, momentet që po kalonte vendi ynë në pranverën e vitit 1944, vendosi që të thirrej dhe të zhvillohej Kongresi Historik i Përmetit. Në këtë periudhë u bë e domosdoshme që krahas forcimit të sulmit mbi pushtuesit nazistë e tradhtarëve të vendit, të konkretizoheshin dhe të sanksionoheshin me ligje të miratuara nga populli fitoret e mëdha të arritura nga masat e gjera popullore të organizuara në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar e në këshillat nacionalçlirimtare dhe ushtarakisht nga Ushtria Partizane Shqiptare. Vendime e ligje të tilla mund t’i merrte e t’i sanksiononte vetëm një mbledhje e gjerë, një kuvend i madh kombëtar i përfaqësuesve të popullit shqiptar, i cili do të shprehte aspiratat e popullit ne një Kongres Historik Antifashist.
Ideja për thirrjen e Kongresit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar u parashtrua nga shoku Enver Hoxha në Byronë Politike të KQ të Partisë, ku u vendos që kjo t’i paraqitej Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në mbledhjen e Kryesisë së KPNÇ më 15 prill 1944 në Helmës të Skraparit shoku Enver parashtroi propozimin për thirrjen e këtij kongresi. Kryesia e KP diskutoi gjallërisht dhe e miratoi propozimin e KQ të PKSH.
Masat e gjera popullore, si në zonat e lira, ashtu edhe në qytetet e krahinat e pushtuara nga armiku dhe njësitë e ushtrisë partizane e pritën me gëzim të madh vendimin për thirrjen e kongresit duke shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar me vendosmëri Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare deri në fitoren e plotë për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe tradhtarët ballisto-zogistë.
Zgjedhjet e delegatëve për në kongres u zhvilluan gjithkund në përputhje me udhëzimet e parashtruara nga KQ i Partisë dhe Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit ANÇ. Ato qënë të parat zgjedhje demokratike në Shqipëri. Në zonat e lira u zhvilluan në mbledhje të përgjithshme e të hapta. Midis delegatëve të zgjedhur në këto mbledhje kishte edhe gra, të cilat për herë të parë në historinë e vendit tonë gëzonin të drejtën e votës në zgjedhjet për pushtetin politik, të drejtë që e kishin fituar me luftën e tyre.
Në zonat e pushtuara zgjedhjet nuk mund të bëheshin lirisht, prandaj delegatët për në këtë kuvend të madh kombëtar u caktuan nga këshillat antifashiste të qarqeve dhe atje ku ato nuk ishin ngritur ende, nga këshilli antifashist i qytetit, si qendër e qarkut.
Vendimi i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për thirrjen e Kongresit kishte vendosur që në rend të ditës së këtij kongresi, veç të tjerave të vendoseshin për zgjidhje edhe problemet e mëdha politike e ushtarake dhe veçanërisht krijimi i shtetit të ri shqiptar me qeverinë e vet demokratike dhe hartimi i planit operativ strategjik për çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH u morën të gjitha masat për sigurimin dhe mbrojtjen e Përmetit, të shkatërruar e djegur 3 herë nga armiku e ballistët. Brenda një kohe të shkurtër u ngrit mbi gërmadhat e një gazerme salla ku do të zhvillonte punimet kongresi, e me radhë salla që do të shërbente si mensë, kuzhina, furra e bukës, magazina etj. Të gjitha rrugët e qytetit u pastruan nga gjurmët e rrënimeve dhe u stolisën me parrulla e flamuj të kuq. U hapen dyqane e restorante të vogla. Tradita e lashtë e mikpritjes përmetare u shfaq gjithkund, shtëpitë hapën dyert për mysafirët e nderuar, për delegatët e Kongresit Antifashist.
Dhe Kongresi Historik u mblodh dhe zhvilloi me sukses të plotë punimet e tij. Në kongres u zgjodh Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, si organi më i lartë legjislativ dhe ekzekutiv në Shqipëri. Ky këshill zgjodhi Kryesinë e përbërë nga 30 veta, vendimi më i rëndësishëm i së cilës ishte emërimi i Komitetit Antifashist me të gjitha atributet e Qeverisë së Përkohshme Demokratike e Popullore të Shqipërisë. Presidenti i Komitetit u zgjodh shoku Enver Hoxha, i cili u emërua edhe Komandant i Përgjithshëm i UNÇSH.