Mihal Grameno
MIHAL GRAMENO:
88-vjetori i vdekjes (5 shkurt 1931)
Sot përkujtojmë autorin e vargjeve të këngës së famshme atdhetare: “Për Mëmëdhenë”!
Mihal Grameno e përligji kalesën e tij në botën shqiptare në përkushtim atdhetar, luftë për lirinë e popullit të vet dhe krijimtari të gjerë në letërsi, teatër dhe publicistikë, e cila kjo është edhe fusha e tij më cilësore.
U lind në Korçë në një familje tregtare, u shkollua në vendlindje dhe më 1885 mërgoi në Rumani, ku në Bukuresht u përfshi në lëvizjen kombëtare shqiptare, madje si sekretar i gazetës “Drita, më 1889.
Në vitin 1908, Mihal Grameno është i pranishëm në Kongresin e Manastirit, si përfaqësues i Klubit të Korçës. Një vit më vonë ai themeloi në Korçë “Lidhjen Orthodokse” dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër, në vitet 1909 – 1910. Ai luftoi për një kishë kombëtare shqiptare. Në vitin 1910 u arrestua nga autoritetet osmane.
Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë e redaktojë të përjavshmen “Koha”, fillimisht në Korçë dhe më pas në Jamestown, NY, ku jetoi në vitet 1915-1919. Ishte detyruar të largohej nga Shqipëria mbas shpërthimit të Luftës I Botërore.
U kthye në Evropë për të përfaqësuar shqiptaro-amerikanët në Konferencën e Paqes në Paris. Vazhdoi të shkruajë e të botojë, por më vonë u tërhoq nga lëvizja kombëtare i sëmurë dhe i dëshpëruar. Vdiq në Korçë më 5 shkurt 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Edhe pse Mihal Grameno dha një ndihmesë të çmuar për kombëtarizimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri, ai vazhdon të shpërnjihet dhe të mohohet nga regjimi i sotëm anastasist, ashtu si gjithë figurat dhe personalitetet e sfondit kombëtar.
Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani (Fatmir Shaban Pelushi), nuk kreu të dielën e kaluar përshpirtjen për korçarin e madh Mihal Grameno, ashtu siç duhej bërë, ashtu siç bëhet për mitropolitë grekë, madje edhe për ortodoksë që kanë kryer akte terroriste në Shqipëri. Në rast se e harroi, e ftojmë Hirësinë ta kryejë përshpirtjen të dielën që vjen: Më mirë vonë se kurrë!
Mihal Grameno, për ne që të nderojmë:
I përjetshëm Kujtimi!