Opinion nga Naim Lushi
Kjo nënë, Nëna Mihone, gjyshja ime, i kishte dikurë 5 djem. Që të pestit ja fali Lirisë së Atdheut. Kjo foto paraqet një moment, kur ajo po e përcillte gjykimin e Millosheviqit në Hagë. Të Kasapit të Ballkanit i cili s’u denua asnjëherë për krimet e tij, siç nuk u denua as Serbia. Dikush që se ka ndjerë në palcë, mbase edhe ka mundur të harroj dhimbjen e nënave tona, por kjo është njëra nga shumë arsyet që neve na fton të mos ligështohemi, që të mbajm qëndrim e të mos e lëmë vendin tonë të shket në humnerën e dështimit e të përçmimit. Vlera e vendit tonë është çmim i gjakut. Unë nuk di mik më të dashur e më të besueshëm sesa gjakun e derdhur për liri dhe, të gjithë ata që e çmojnë këtë gjak, duke mos e përbuzur dhe nënçmuar, i kam miq të shtrenjtë gjithashtu. Sot jemi në një moment të vështirë, tepër të vështirë, kur po vihemi në sprovë pa të drejt për vendin tonë, por nuk është pyetja kjo. Pyetja është, si erdhëm deri këtu pas gjithë atij gjaku të derdhur, pas gjithë atyre sakrificave e dhëmbjëve të përjetuara? A na shtyu dikush në këtë greminë apo erdhem vet? Unë mendoj se jemi vet ne, askush tjetër nuk është fajtorë, sepse ne harruam. Harruam për borxhin e madh që ua patëm dëshmorëve dhe martirëve të Atdheut tanë, sapo na e veshën një petk bajraktarizmi. Na i hapen dyert e lakmisë dhe, ne, si bagëtia në kullosë u lëshuam në zhvatje. Asgjë më nuk kishte ndonjë vlerë më të madhe sesa ndonjë kacidhe më shumë në xhepin tonë. Kosova u fut në xhep, e kur xhepi është i fryer gjithnjë është joshje për hajdutët e xhepave. Serbia e pa këtë dhe dalngadal filloj të fus gishtërinjët e saj prej hajduti në xhepat e fryer të mëkatit. Si hajdut i rryer, një nga një po i nxjerrë që andej, jo kacidhet e grumbulluara tashmë në thesarë turpi të disave, por rënkimet e njëpasnjëshme të vendit tonë, nën përpëlitjet e padrejtësive të reja. Doli një njëri që shfaqi guximin për të ndalë këtë shkitje, Ramush Haradinaj, dhe kacidhet në xhepa filluan aq zhurmshëm të kumbojn sikur të bëjnë thirrje për tu ringjallur edhe njëherë Ponc Pilati për ta kryqëzuar si Jezusin në kryq. Pra sikur Skenderbeu kur tha: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj” edhe Ramushi fare lehtë mund të thot: “Hipokrizinë për miqësinë e xheparoshëve me Ameriken nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj” sepse Amerika nuk mirret me kacidhe, vlera e saj dhe e miqësisë me të është shumë më e nderlikuar, vlera e saj do të thot fuqi.
Sidoqoft dhëmbja e nënave po vazhdon, e pak kushë sot po e ndjenë…!