Lavdi trimave partizan
Heronjtë e Kodrës së Kuqe
Vojo Kushi.
Lindi në Shkodër në vitin 1918. U rrit nën kujdesin e dajove mbasi prindërit e lanë herët. Vojua ndoqi mësimet në gjimnazin e Shkodrës. Ishte shok i ngushtë i Hajdar Dushit dhe Emin Durakut. Mbasi mbaroi gjimnazin vazhdoi studimet jashtë shtetit në një akademi ushtarake. Vojo Kushi u shqua si njeri i guximshëm dhe njeri i aksioneve. U thirr në Tiranë dhe u ngarkua me detyrën e komandantit të njësiteve guerile në mbarë Shqipërinë. U shqua si organizator i njësiteve guerile dhe mori pjesë vetë edhe ai në aksione të ndryshme. Ishte i fuqishëm dhe sportist i dalluar. Vojua bashkë me heronjtë Sadik Stavaleci dhe Xhoxhi Martini, më 7 tetor të vitit 1942, u rrethuan te një shtëpi në Kodrën e Kuqe në qytetin e Tiranës dhe bashkarisht me shokë shkroi Epopenë e Kodrës së Kuqe.
Sadik Stavaleci.
Lindi në Gjakovë në vitin 1915. Mbaroi ShkOllën Teknike në Tiranë.
Ai zhvilloi veprimtari kundër regjimit zogist dhe në vitin 1939 u dënua. Do të vepronte në fillim në Shkodër dhe më vonë thirret në Tiranë në njësitet guerile të kryeqytetit.
Do të shquhej në plotësimin e detyrave luftarake. Më 7 tetor 1942 rrethohet dhe bie heroikisht sëbashku me Vojo Kushin e Xhoxhi Martinin, në një luftim të pabarabartë me fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Xhoxhi Martini.
Lindi në Tiranë, në vitin 1921. Familja e tij ishte e lidhur me luftën. Ai mori pjesë në demonstratat e zhvilluara në Tiranë. Përherë i gatshëm për të plotësuar detyrat që i ngarkoheshin, pjesëmarrës në disa aksione që u kryen në Tiranë. Më 7 tetor, Xhoxhi Martini, bashkë me shokët e tij bënë qëndresën heroike dhe legjendare, duke e shndërruar Kodrën e Kuqe në një kështjellë të heroizmit atdhetar. Vojua, Sadiku dhe Xhoxhi në ato çaste u vunë përballë kullave të çelikta qëndresën e zemrave të tyre, zemra që u përballën me përbindëshin e hekurt.
“Nuk mund të quhet njësit gueril ai që nuk bën aksione. Aksioni u krye me sukses, por ne s’duhet të dehemi nga suksesi. Ne i premë fashizmit një nerv, kurse duhet t’ia prishim të gjithë sistemin nervor!”
Këto fjalë u tha Vojua shokëve të njësitit pasi kryen një aksion.
Vojo Kushi ishte djalë me një trup atleti, me sy të mprehtë bojë hiri, me krahë të fuqishëm, ishte i qeshur dhe i dashur me shokët. Shokët dhe banorët e lagjes shpesh e kishin dëgjuar të këndonte këngë revolucionare. Për këtë edhe u arrestua, por këngën nuk e ndërpreu. Ai e vazhdoi këngën e tij me armikun nëpërmjet grykës së pushkës.
Duke qenë në krye të njësiteve guerile të Tiranës, megjithëse në moshë fare të re, ai drejtoi me aftësi të madhe dhe mori vetë pjesë në shumë aksione. Gjëja më e madhe është t’i falësh jetën Atdheut, por njëkohësisht duhet të dish si t’ia falësh, i porosiste Vojua gjithnjë shokët e tij. Në çdo veprim në Tiranë gjendej mendja e guximi i heroit. Aksioni i djegies së depos ushtarake të Xhenjos, që u krye nga njësiti gueril i Tiranës nën drejtimin e Vojos, mori dhenë për arsye se armikut iu shkaktuan dëme të mëdha. Aksioni i prerjes së telave të telefonit dhe telegrafit në të gjithë Shqipërinë, i tronditi në themel pushtuesit e tradhtarët. Në prerjen e telave në rrugën Tiranë-Durrës mori pjesë dhe e drejtoi aksionin vetë Vojua.. Por heroi e tregoi më fort se kurrë trimërinë e tij më 10 tetor 1942 në Kodrën e Kuqe, në shtëpinë e Ije Farkës. Së bashku me Sadik Stavalecin dhe Xhoxhi Martinin, ai luftoi me një trimëri të rrallë kundër bishave fashiste gjer në momentin e fundit të jetës. Të rrethuar ata bënë një luftë të pabarabartë, e cila zgjati 5-6 orë kundër qindrave milicëve e xhandarëve të armatosur gjer në dhëmbë. Tre luftëtarë kundër një ushtrie të tërë.
Ish partizania Marika, motra e Heroit Xhoxhi Martini, tregon: “Rrugicat që e rrethonin Kodrën e Kuqe ishin mbushur plot me fashistë. Në çdo portë ishte vënë nga një roje. Krisi pushka nga të katër anët. Banorët e Kodrës së Kuqe bënë të gjitha përpjekjet për të shpëtuar heronjtë, por rrethimi ishte shumë i fortë. Fashistët i kishin zënë të gjitha shtigjet”. Për Vojon, Sadikun dhe Xhoxhin, nuk kishte mbetur rrugë tjetër veç të luftonin si burrat deri në pikën e fundit të gjakut. Njerëzit që iu ndodhën pranë në çastet e fundit tregojnë se të tre u përqafuan dhe i dhanë njëri-tjetrit lamtumirën e fundit. Sadiku dhe Xhoxhi ranë në luftë e sipër. Vojua mbeti vetëm duke luftuar. Një luftëtar kundër një hordhije fashistësh. Armiqtë, duke parë se nuk po e mposhtnin dot heroin, i vunë zjarrin shtëpisë dhe sollën autoblindat. Vojua luftoi si vigan, por më në fund municionet iu mbaruan. S’i mbeti gjë tjetër veçse të luftonte me duar kundër autoblindës që villte zjarr papushim. Do të hidhej mbi autoblindë, do të hapte kapakun e saj të hekurt dhe pastaj do të përleshej fytafyt me fashistët e strukur Brenda.Vojua u hodh hodh mbi tank si luan…Ishte thirrja e fundit e tij, ishte akti i fundit i tij, akt i rrallë që mbeti i paharrueshëm në mendjen dhe zemrën e popullit tonë.
Epopeja e Kodrës së Kuqe ishte një legjendë e vërtetë trimërie partizane, ishte një flakë që ndriçoi në gjithë vendin. Heronjtë u thanë pushtuesve: “Kurrën e kurrës s’do të mundemi”. Emrin e Vojo Kushit, nënat që lindnin djem kur i ledhatonin në djep u thonin: “M’u bëfsh trim si Vojua!” Shumë fëmijë gëzuan të drejtën të mbajnë emrin e Vojos.
Kur flasim për trimërinë e heroizmin partizan, Vojua, Sadiku dhe Xhoxhi zënë vendet e kreut që kështjella në Kodrën e Kuqe qëndronte dhe luftonte edhe kur u sulën drejt saj tanket. Ata ranë si heronj, luftuan në krah të njëri-tjetrit dhe ranë në krah të njëri-tjetrit, duke u shndërruar në heronj legjendarë. Për këtë ngjarje, në tetor të vitit 1942, në gazetën “Zëri i popullit”, Enver Hoxha shkruan:
“Në Tiranën e kuqe po kërcet pushka e mitralozi. Luftojnë trimat partizanë, luftojnë tre petritë, tre zemërluanë, luftojnë si dragonj komunistët Vojo Kushi, Sadik Stavaleci dhe Xhoxhi Martini kundër armikut tonë të urryer, fashizmit gjakatar, kundër veglave të tij tradhtare, kundër bastardëve të popullit.
O shokë trima. Luftuat gjashtë orë rresht kundra qindra e qindra armiqsh. Tirana u çua në këmbë, zemra e popullit tonë po rrihnin me vrull, kishin shpërthyer kraharorët e kishin ardhur rreth jush për të luftuar me ju se ishit bijtë e popullit, se ishit gjaku i tij, se ishit zemra e tij, se luftuat për lirinë e pavarësinë e tij dhe kraharorët tuaj, ku rrihte zemra e çelniktë e fatosave tanë, u bënë për gjashtë orë kalaja e pathyeshme e rezistencës së popullit shqiptar!… O heronj legjendarë, luftën tuaj heroike, që bëtë gjashtë orë me radhë kundër qindra armiqsh të armatosur gjer në dhëmbë me mitraloza e me tanksa, po e vazhdon me tërbim populli shqiptar. Fitimi ynë është i sigurt dhe gjaku juaj i kulluar dhe i dëshmorëve të tjerë do të merret. Dhe hakmarrja mbi fashistët e tradhtarët do të jetë e tmerrshme…”
Resul Bedo