Kryeministri Kurti kujton Afrim Zhitin dhe Fahri Fazliun me admirim !
Saktësisht para 35 vjetëve, pas mbi gjashtë orë luftimesh në lagjen “Bregu i Diellit”, tek hyrja e 3-të e bllokut të 3-të, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu ynë.
Afrimi edhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstratave shumë të fuqishme dhe shumë të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht kanë marrë pjesë në demonstratën e 1 nëntorit 1989, me ç’rast masës së demonstruesve i është drejtuar Afrim Zhitia.
Në Kosovë po fillonte aparteidi i Serbisë pas okupimit klasik që e pasoi heqjen edhe të asaj autonomie që kishim, ndërkaq Evropa po çlirohej sepse një javë më vonë do të shembej muri i Berlinit. Kur Evropa po çlirohej nga diktatura dhe po bashkohej, në Kosovë po niste apartheidi. Ato kanë qenë rrethana tejet të vështira, të paimagjinueshme për neve sot dhe në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e popullit tonë, çfarë janë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe shumë e shumë të tjerë pastaj që do të vazhdojnë rrugën e tyre deri tek kryengritja gjithëpopullore e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ne nuk e harrojmë asnjëherë prej nga vijmë, dhe njëkohësisht nuk e harrojmë që pjesën më të madhe të punës dhe kryesore e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq, neve të tjerëve na ka ngelur një pjesë e rëndësishme e punës, por megjithatë shumë më e vogël sesa e tyre, dhe ajo çfarë duhet të bëjmë tash, është që të japim maksimumin me krejt çfarë mundemi e dimë në rrugën që na e kanë ndriçuar ata.
Lavdi Afrim Zhitës, Fahri Fazliut e gjithë dëshmorëve të kombit!